Arbëri

Propagandë me referendumin

Serbia ka paralajmëruar t’i ankohet bashkësisë ndërkombëtare për ta bindur Kosovën që ta mundësojë referendumin e saj edhe në Kosovë. Por analistët serbë e konsiderojnë propagandë të presidentit serb Vuçiq insistimin që referendumin për ndryshimin e Kushtetutës ta shtrijë edhe në Kosovë. Sipas tyre, me veprimet e tij, presidenti serb çdo ditë e më shumë po e pranon realitetin e shtetit të Kosovës

Propagandë për konsum të brendshëm po konsiderohet insistimi i presidentit të Serbisë që referendumi për ndryshimin e Kushtetutës të shtrihet edhe në Kosovë. Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar të ankohet tek ndërkombëtarët pas deklaratave të qeverisë se nuk do të lejojë referendumin e Serbisë.

Analisti dhe gazetari Branislav Kërstiq thotë se Vuçiq vetëm po dramatizon dhe se nuk është i interesuar për referendum në Kosovë.

“Insistimi i Beogradit për organizimin e referendumit në Kosovë është veç politikë ditore e tij. Kosova do të jetë pjesë e Serbisë deri në referendumin e ardhshëm dhe Vuçiqi po i numëron ditët e fundit të regjimit, prandaj edhe insistimi për referendum është veç një pjesë e lojës së regjimit të Beogradit. Jam i sigurt se atyre nuk u intereson të ketë referendum edhe në Kosovë. Në anën tjetër, me siguri janë duke e kuptuar kryeministrin Kurti. Kosova është shtet i pavarur, i njohur nga më shumë se 100 të botës. Aty janë edhe shtetet kryesore e Evropës dhe SHBA-ja, që do të thotë se kjo është vetëm një propagandë për mediat në Beograd, asgjë më tepër”, ka thënë Kërstiq.

Presidenti serb përmendi edhe tanket kur iu referua kërkesës për referendum.

“Çfarë do të bëjnë, a do t’i çojnë tanket, përkatësisht, mjetet e blinduara, pasi tanke nuk kanë, në qendrat e votimit. Nuk e kuptoj pse duan të shkaktojnë tensione. Është puna jonë të jemi me popullin tonë, të ruajmë paqen dhe të respektojmë Kushtetutën tonë. Për mua është shumë e rëndë që nuk po lejojnë Veljko Odaloviqin apo Petar Petkoviqin të hyjnë në Kosovë e Metohi, pasi po sillen si dikush që dëshiron të shkaktojë incidente. Ata thanë se nuk do të lejojnë të mbahet referendum në komunitetet serbe në Kosovë e Metohi”, ka thënë Vuçiq.

Por kryeministri Kurti në konferencën e fundvitit përjashtoi mundësinë e lejimit të referendumit, teksa e cilësoi atë si qëllimkeq.

“E dimë që Serbia synon ta mbajë një referendum në Kosovë me datën 16 janar për çështje të saj të brendshme mirëpo Qeveria e Republikës së Kosovës nuk është dakord me një synim të tillë jo vetëm për shkak se kjo është në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën tonë, por edhe për shkak se konsiderojmë që praktikat e mëhershme që i kanë aplikuar qeveritë e mëparshme kanë qenë po ashtu në shkelje të ligjit dhe kushtetutës sonë”, deklaroi kryeministri.

Procesi i referendumit do të zhvillohet më 16 janar, ku serbëve do t’u kërkohet të deklarohen nëse pajtohen me ndryshimin e Kushtetutës në pjesën ku flitet për mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Analisti Kërstiq thotë se Vuçiqi çdo ditë e më shumë po e pranon realitetin e shtetit të Kosovës.

“I ka anuluar institucionet paralele, i ka mbyll komunat serbe, policinë dhe gjyqësorin e ka transferuar në duart e Kushtetutës së shtetit të Kosovës. Por është eliminuar edhe elita e serbëve që ka qenë opozitë e politikës katastrofale të Serbisë në këto 30 vitet e fundit. Regjimi i Beogradit është pranë pranimit të pavarësisë se Kosovës, por si balancim këmbëngul që serbëve t’ua sigurojë asociacionin në Kosovë, asgjë me tepër”, ka deklaruar ai.

Por Qeveria Kurti e ka përjashtuar mundësinë e themelimit të Asociacionit, në të cilin po insiston edhe Brukseli.