Prokuroria Speciale e Kosovës e ka dorëzuar të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë një aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës së viteve 1998-’99.
21 të pandehurit Z.P, M.C, R.M, D.A, O.S, Ž.T, G.R, B.J, S.I, B.V, S.P, N.P, K.J, L.S, B.D, R.S, D.Z, M.Gj, L.C, B.F, M.K., akuzohen se, në cilësinë e personave me përgjegjësi komanduese, gjatë periudhës janar-qershor 1999, kanë qenë të përfshirë në dëbimin e dhunshëm të popullsisë civile shqiptare.
Prokurori i rastit, Atdhe Dema, në një konferencë për media, ka theksuar se pas vite hetimesh intensive, është ngritur akuza ndaj këtyre personave.
“Pas vite hetimesh intensive, Departamenti Special i Prokurorisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dorëzuar sot një aktakuzë lidhur me krime lufte kundër popullsisë civile gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, në periudhën janar–qershor 1999″, tha ai.
Prokurori ka shtuar se provat e mbledhura dëshmojnë përfshirjen e të pandehurve në dëbimin dhe keqtrajtimin e popullsisë civile shqiptare gjatë luftës.
“Këto veprime përbëjnë pjesë të një fushatë të gjerë që ka rezultuar me zhvendosjen me dhunë të rreth 863.000 civilëve shqiptarë, sipas statistikave zyrtare”, tha Dema.
Sipas aktakuzës, gjatë kësaj periudhe, të pandehurit kanë qenë në dijeni se forcat nën komandën e tyre po kryenin veprime që realizoheshin përmes një fushate të gjerë dhe të koordinuar që përfshinte: shkatërrimin e pronës, djegien e shtëpive, përndjekjen dhe ndalimin arbitrar të personave në baza etnike, sulme të armatosura ndaj fshatrave dhe qyteteve të banuara me popullsi civile shqiptare, me qëllim zhvendosjen me dhunë brenda territorit të kufijve të atëhershëm administrativ të Kosovës.
Në mbështetje të neneve 234 dhe 303 të Kodit të Procedurës Penale, Prokuroria Speciale, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që të mbajë gjykimin në mungesë për shkak se të pandehurit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë.