Është dhënë fjala përfundimtare në rigjykimin për rastin “Gylenistët”, në të cilin për dëbimin e gjashtë shtetasve turq i akuzuar është ish-shefi i AKI-së, Driton Gashi. Prokurorja ka kërkuar dënimin e tij, pasi që ka thënë se në proces është vërtetuar fajësia. E Gashi është mbrojtur në heshtje
Pas disa seancave të mbyllura, këtë të premte është hapur për publikun rigjykimi në rastin e njohur si “Gylenistët”.
Në këtë proces gjyqësor, ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi, akuzohet se në mars të vitit 2018 është angazhuar drejtpërsëdrejti në dëbimin e gjashtë shtetasve turq: Mustafa Erdem, Yusuf Karabina, Hasan Huseyn-Gunakan, Cihan Ozkan, Osman Karakaya e Kahraman Demirez, të cilët më pas janë përballur me procese gjyqësore në Turqi.
Në dhënien e fjalës përfundimtare, prokurorja speciale, Habibe Salihu-Statovci, ka kërkuar nga trupi gjykues që i akuzuari Gashi të shpallet fajtor për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.
“Nga dëshmitë e dëshmitarëve, të cilët janë të dëmtuar, në mënyrë të qartë është vërtetuar se veprimet janë ndërmarrë kundër këtyre qytetarëve, me qëllim që të largohen nga Republika e Kosovës. Nga dëshmitë e dëshmitarëve po ashtu u vërtetua dëmi që u është shkaktuar në mënyrë të kundërligjshme”, ka theksuar prokurorja Salihu-Statovci.
Ajo ka theksuar se është vërtetuar edhe se të gjashtë turqit janë dëbuar, ndonëse nuk kanë përbërë rrezik për sigurinë e Kosovës.
“Pasi që janë dëbuar, janë larguar dhunshëm nga Republika e Kosovës, janë dërguar në shtetin e Turqisë dhe të njëjtët persona kanë vuajtur dënim, deri në kohën kur janë liruar pas disa viteve dhe pastaj pasi janë liruar, po ata janë kthyer në Kosovë, përsëri. Pra, kjo e vërteton faktin se të njëjtët persona nuk kanë paraqitur asnjë rrezikshmëri për sigurinë kombëtare, sepse po ata prapë, në mënyrë të ligjshme, qëndrojnë në Republikën e Kosovës”, ka thënë ajo.
E paraprakisht, në radhën e dhënies së mbrojtjes, i akuzuari Gashi është mbrojtur në heshtje.
“Deklarata ime është se mbrohem në heshtje dhe se arsyeja për këtë është Ligji për klasifikimin e informacioneve dhe Ligji për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Dhe një herë deklaroj se jam i pafajshëm dhe nuk kam shkelur asnjë procedurë ligjore në këtë proces”, është shprehur Gashi.
Gjashtë shtetasit turq janë dëbuar nga Kosova në mars të 2018-s.
Ndaj tyre është zhvilluar proces gjyqësor në Turqi, pasi që janë akuzuar si pjesëtarë të organizatës “Feto”, e cila është shpallur terroriste në këtë vend.
Dëbimi pati nxitur reagime brenda, por edhe ndërkombëtare dhe veprimi është cilësuar si shkelje e të drejtave të njeriut.