Prokuroria Speciale ka kërkuar që të dënohen katër të akuzuarit për sulmin terrorist në zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut, pasi që është vërtetuar, si me prova ashtu edhe komunikime, se të pandehurit e kanë kryer sulmin që e patën planifikuar. I akuzuari, Milun Milenkoviq, ka pretenduan se ai as nuk ka qenë në vendngjarje dhe as nuk i njeh të akuzuarit e tjerë
Prokuroria Speciale ka kërkuar dënim për Milun Milenkoviq – i njohur si Llune, Dejan Pantiq, Miomir Vakiq dhe Aleksandar Vlajiq, të cilët akuzohen për sulmin terrorist në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut në dhjetor të 2022-s.
Prokurorja speciale, Fikrije Fejzullahu, ka thënë të mërkurën, në seancën e fjalës përfundimtare për rastin, se provat materiale dhe dëshmitë e paraqitura e kanë vërtetuar fajësinë e të akuzuarve, teksa e ka theksuar rëndësinë e dënimit meritor për t’i parandaluar sulmet e ngjashme.
Fejzullahu ka përmendur dy mesazhe, një të dërguar nga i akuzuari Aleksandar Vllajiq dhe një tjetër nga ai Milun Milenkoviq, si dëshmi që tregojnë se ata e kanë planifikuar sulmin.
“Në mëngjes do të vijnë zotërinjtë nga KQZ-ja e jo sonte. Kam dëgjuar për në mëngjes, dyshoj për pasdite, mjaft e rrezikshme. Epo edhe unë kështu mendoj. Do të vëzhgojmë. Nesër do të jetë pak uauau. Ata po e ndiejnë pulsin. Siç na thonë nga lart, ashtu do të bëjmë. Unë do të njoftoj për atë që dëgjoj... Do ta kisha potencuar edhe një komunikim nga Miliun Milenkoviq. Për shembull, dëgjohet duke u thënë personave të tjerë të maskuar: shpejt, shpejt dhe mos i harroni ato. E po ashtu komunikimi kur deklarohet se ‘prej sot zyrtarisht jam zëvendëskomandant i Brigadës së Veriut’ si dhe të ketë thënë se ‘nuk ka tani më Mbrojtje Civile, ka Brigadë të Veriut’”, ka theksuar prokurorja.
Në seancën e së mërkurës, e cila është ndërprerë shkaku i vapës në objektin e Pallatit të Drejtësisë,
fjalën përfundimtare e ka paraqitur vetëm i akuzuari Milun Milenkoviq, me mbrojtësin e tij.
Ai ka thënë se është njeri familjar dhe trajner i mirë i boksit që asnjëherë nuk është përfshirë në vepra penale.
“Dua të them, të nderuar, që nuk jam kurrfarë krimineli, siç më është shkruar, dhe që jeta ime mund të përshkruhet me tri fjalë. Se jam njeri familjar, baba i dy fëmijëve, sportist dhe njeri që merret me punë të ndershme për ta ushqyer familjen... Në 30 vjetët e fundit jam marrë me sport dhe kam marrë mirënjohje vendore dhe ndërkombëtare. Në 15 vjetët e fundit kam qenë trajner”, është shprehur ai.
E avokati i tij, Predrag Milkoviq, ka shprehur kundërshtime në shumë rrafshe, teksa ka thënë që kallëzimi penal nuk mund të shërbejë si provë në procedurë penale, pasi që ka pretenduar se votimet e ndërprera nga sulmet janë mbajtur katër muaj më vonë.
Milkoviq ka theksuar po ashtu që në shqyrtim gjyqësor as nuk është vërtetuar bashkëkryerja, as koha e saktë e kryerjes së veprës penale dhe as veprimet konkrete të secilit të akuzuar.
“Të nderuar gjyqtarë, po të mos ishin takuar këtu në këtë gjykatore, nuk do të takoheshin as në rrugë... Prokuroria thotë se këta të pandehur dhe persona të tjerë të paidentifikuar kryen sulm terrorist me hedhjen e dy granatave të dorës dhe dy shokbombave dhe përshkrimi i mënyrës është aq i varfër saqë me asnjë lloj logjike nuk merret vesh se çfarë ka dashur të thotë autori. A do të thotë kjo që të gjithë të pandehurit në të njëjtën kohë i mbajnë katër bomba dhe i gjuajnë në objektin e KQZ-së, apo që dikush i ka dy granata e tjetri dy shokbomba apo që dy të pandehur mbajnë dy bomba dhe personat e paidentifikuar dy shokbomba? Mundësitë e kombinimeve të këtyre përshkrimeve janë matematikisht A në katror (a²)”, ka theksuar avokati i të akuzuarit Llune.
Vazhdimi i fjalës përfundimtare është caktuar që të mbahet më 25 korrik.
Bazuar në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, më 6 dhjetor të 2022-tës është realizuar sulm terrorist ndaj KKZ-së në Mitrovicë të Veriut dhe një autoambulancë është përdorur për bartjen e granatave të dorës. Këto granata të dorës, sipas aktakuzës, i ka marrë i akuzuari Milun Milenkoviq – Llune.
Krahas tij, Aleksandar Vllajiq, Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq janë duke u përballur me akuzat e prokurorisë se kanë hedhur granata dore dhe shokbomba me qëllim të detyrimit të organeve publike të Kosovës për t’u tërhequr nga organizimi i zgjedhjeve në veri.