Prokurori Special Bekim Kodraliu ka kërkuar ta shpallë fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, të akuzuarin Muhamet Hajredinajpër veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale i akuzuari Hajredinaj duke e ditur qe më 27 nëntor 2024 kremtohej në shkollë Dita e flamurit kombëtar, për shkak të bindjeve të tij fetare, të cilat i ka shprehur edhe më parë në prani të nxënësve, ka marrë flamurin kuqezi dhe plisin dhe, me gjithë kundërshimet e nxënësve, i ka hedhur në shportën e mbeturinave.
“Ka ngritur aktakuzë për shkak të veprës penale të ‘Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit’. Gjatë shqyrtimit gjyqësor, pa mëdyshje është vërtetuar se i pandehuri e ka kryer veprën penale e lartcekur. Është vërtetuar gjendja faktike, çka nënkupton që i pandehuri e ka kryer veprën penale. U vërtetua se i pandehuri me 27.11.2024 në shkollën ‘Xhemajl Mustafa’, duke vepruar në cilësinë e personit zyrtar si mësimdhënës, në mënyrë qe ka hyrë në klasën 6/4 i përballur më veshjet kombëtare, ka marrë flamurin dhe plisin nga disa nxënës i ka hedhur në shportën e mbeturinave si dhe ka larguar nga klasa një nxënëse që ka pasur veshje kombëtare. Nga administrimi i provave, nga deklarimet e dëshmitarëve dhe të pandehurit rezulton e vërtetuar se i pandehuri ka ndërmarrë veprime konkrete publike me dashje të drejtpërdrejtë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit. Para nxënësve të mitur, ka përdhosur simbolet kombëtare shqiptare, duke hedhur flamurin dhe plisin, ka larguar nga klasa një nxënëse 11 vjeçare. Janë vërtetuar edhe nga deklarimet e dëshmitarëve me këto veprime nxitur urrejtje. Hedhja e simboleve e shoqëruar me përjashtim e një nxënëse të mitur përbën një akt poshtërues”, thuhet në aktakuzë.
Më tej është thënë se dëshmohet qartë se veprimi nuk ka qenë i paqëllimshëm, por i qëllimshëm.
“Ne konsiderojmë se vepra penale është kryer në një ambient arsimor. Bazuar në provat e administruara i pandehuri ka kryer këtë veprën penale, i propozoj Gjykatës ta shpallë fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit dhe ti shqiptohet dënimi plotësues, dënimi nga ushtrimi i detyrës në administratën publike”, ka thënë prokurori special, Bekim Kodraliu.
E mbrojtësi i të akuzuarit Muhamet Hajredinaj, avokati Muhamet Mujaj, tha se pretendimet e Prokurorisë Speciale janë të pabazuara dhe i pandehuri Muhamet Mujaj nuk e ka kryer veprën mbi të cilën ngarkohet. Ka kërkuar lirimin e tij.
“Nuk është e vërtetë çka deklarohet prej një prokurori për gjendjen faktike. As provat materiale e as personale se i akuzuari ka ndërmarrë veprim për shkak te motiveve fetare. Kërkesa e tij ka qenë që nxënësit të jenë të veshur me uniformë. Profesori ka kërkuar që plisat, flamuri që të largohen dhe të vazhdojë procesi mësimor. Nuk ka dëshmi që Muhameti ka bërë nxitje të përçarjes… i akuzuari ka deklaruar edhe në gjykatë që ato simbole janë simbole të tij kombëtare. Deklaratat e dëshmitarëve janë shumë kontradiktore me shumë paragjykime. Profesoresha nuk ka arritur të tregojë se ka qenë ose jo prezent kur ka ndodhur rasti.. nuk ka pasur për qëllim ta hedhë flamurin, por ka qenë në efekt. Kërkojmë që ta lironi të akuzuarin”, ka thënë avokati Muhamet Mujaj.
Fjalën përfundimtare të avokatit e përkrahu edhe vetë i akuzuari Muhamet Hajredinaj. Pas rastit Hajredinaj ishte pezulluar nga puna në shkollën "Xhemail Mustafa".
KOHA pati raportuar në ditën e ngjarjes, se si simbolet u bënë shkak që mësimdhënësi i gjuhës anglezë në shkollën “Xhemail Mustafa”, ka përjashtuar një nxënëse nga ora e mësimit qe refuzoi ta heqë plisin nga koka dhe e hodhi në bërllok edhe flamurin kuq e zi.