Arbëri

Prokurorët me fushatë vetëdijesimi për nxënësit në shkollat e Lipjanit

Katër prokurore kanë nisur të mbajnë ligjërata nëpër shkolla të mesme në Komunën e Lipjanit, me qëllimin për të vetëdijesuar nxënësit për disa dukuri që përbëjnë vepra penale, si përdorimi i drogave, armëmbajtja, ngacmimet seksuale e të tjera.

Gjatë së hënës ato qëndruan në shkollën e mesme “Adem Gllavica”.

Prokurorja Bukurie Gjonbalaj, ka thënë se qëllimi i tyre është t’i njoftojnë nxënësit për pasojat e që sjell shkelja e ligjit.

“Është shfaqur shumë një dukuri negative, sidomos te të miturit të cilët ndoshta për mosdije po bëjnë shkelje ligjore. Qëllimi jonë është që t’i njoftojmë për së afërmi dhe për pasojat të cilat i kanë nëse shkelin ligjin”, ka deklaruar Gjonbalaj.

Bedrije, Syla – Alshiqi, përfaqësuese e forumit të grave gjyqtare dhe prokurore të Kosovës, njëherësh prokurore e Apelit, tha se persona të ndryshëm po abuzojnë me nxënësit duke iu ofruar substanca narkotike falas, me qëllim që ata të krijojnë varësi e të blejnë prej tyre.

“Ka organizëm që me dy apo tre herë që e përdor bëhet i varur dhe nuk mund të largohet, pastaj të gjitha këto veprat penale që po shkaktohen si vjedhje shkaku i drogës. Kur organizmit i mungon ata bëhen edhe të ashpër , i sulmojnë edhe familjarët, e kemi rastin në Prishtinë që edhe nënën e vete e ka goditur me thikë dhe ka vdekur ajo grua për shkak se djali i saj përdorues”, ka deklaruar Syla-Alsiqi.

Në këtë ligjëratë është debatuar edhe për armëmbajtje pa leje dhe mjete të tjera të rrezikshme.

Prokurorja për të mitur, Sebahate Hoxha, ka theksuar se dukuria e mbajtjes së armëve nëpër shkolla është bërë e shpeshtë.

“Kemi vërejtur një dukuri të shpeshtë që po ndodh nëpër shkolla fillore dhe të mesme e që është dukuri negative mbajtja e armëve, mbajtja e thikave dhe po ashtu edhe shumë konflikte që po ndodhin në mes të moshatarëve për gjëra krejtësisht të kota”, ka theksuar Hoxha.

Ndërsa prokurorja për të mitur, Shehribane Selimi – Muqaj, ka folur për pasojat që sjell mbajtja e armëve.

“Pasojat të cilat do t’i keni në të ardhmen janë të mëdha, sepse kundër juve hapet një vepër penale për armëmbajtje pa leje. Ju e dini që nëse dikush nga ju në të ardhmen aplikon për punë edhe për një sigurim apo çfarëdo qoftë po kërkohej e kaluara e juaj në polici dhe Prokurori”, ka theksuar Selimi – Muqaj.

KOHA ka raportuar se në Lipjan janë rritur rastet e përdorimit të narkotikëve deri në 82 për qind në krahasim me gjysmën e parë të vitit të kaluar.