Arbëri

Projektligji për çmimin e produkteve mjekësore ndan deputetët e pushtetit

Me diskutime prej rreth tri orësh është përcjellë mbledhja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, që në rend dite e pati Projektligjin për çmimin e produkteve mjekësore. Deputetë të pushtetit e ata të opozitës e kundërshtuan votimin e tij shkaku i mangësive, ndërsa kërkuan që me të të mbështeten prodhuesit farmaceutikë vendorë. Ata ngritën edhe dyshime për tentime të ndërhyrjes nga jashtë, në këtë pikë të projektligjit

Pas rreth tri orësh diskutim në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi, të premten nuk u nxor në votim Projektligji për çmimin e produkteve mjekësore, si pasojë e mangësive të identifikuara nga deputetët e këtij komisioni.

Përfaqësues të pushtetit dhe ata të opozitës kërkuan që krahas rregullimit dhe unifikimit të çmimit të produkteve, të përkrahet edhe prodhuesi farmaceutik vendor.

Haxhi Avdyli, deputet nga radhët e Vetëvendosjes, kërkoi që kompanitë vendore të përfshihen në caktimin e çmimit të produkteve.

“Me anë të këtij ligji ne nuk jemi duke ju bërë favor, por disfavor. Ne nuk jemi duke i bërë të barabartë me prodhuesit vendorë të rajonit, por jemi duke u bërë disfavor dhe me këtë mund të ndodhë që me anë të këtij ligji ne mund ta bëjmë mbylljen e një fabrike shumë prestigjioze që ka diku 20 milionë euro investim, dhe janë me qindra punëtorë që duhet të shkojnë në shtëpi. Sepse kërkohet që këtu çmimi i barnave të caktohet vetëm me anë të origjinatorit apo atij që e ka patentën”, ka thënë Avdyli.

Ai u mbështet nga deputetët opozitarë që shprehën vërejtje për mangësitë në formën aktuale të Projektligjit dhe ngritën dyshime për ndërhyrje nga jashtë.

Deputeti nga AAK, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se rekomandimet e grupeve të interesit nuk janë marrë në konsideratë.

“Ka mjaft mangësi. Ajo çfarë është për t’u brengosur, është që rekomandimet e palëve të interesit nuk janë marrë për bazë. Pajtohem me deputetin Haxhiu që prodhuesi vendor nuk është mbështetur sa duhet në këtë ligj dhe duhet ta ketë në konsideratë”, ka thënë ai. “Kontrolli i cilësisë, kontrolli i çmimit të barit dhe stimulimi i prodhuesve vendorë duhet të jenë prioritetet e këtij ligji”.

E deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka përmendur se si një kompani nga Maqedonia ka tentuar të ndërhynte përmes një shkrese në Ministrinë e Shëndetësië për të mos u përfshirë neni që favorizon kompanitë vendore.

“Unë brengosem kur e shoh që një kompani e jashtme është më e fuqishme sesa kompania vendore në lobim dhe i shtin duart në projektligj, atëherë kjo është brengë e madhe”, ka thënë Haxhiu. “Ky ligj do të duhej që përveç rregullimit të çmimit të produkteve mjekësore të kishte edhe listën pozitive të barnave edhe rimbursimin e atyre barnave nga lista pozitive për të ndihmuar kategoritë e rrezikuara, rastet sociale dhe pensionistët të cilët në moshën e shtyrë kanë nevojë për terapi e nuk kanë”.

Por, në mbrojtje të projektligjit doli kryetarja e komisionit, Fatmire Kollçaku, e cila tha se qëllimi parësor është qytetari.

“Nuk ka qenë në asnjë formë qëllim dëmtimi i prodhuesve vendorë, por është thënë se me një legjislacion tjetër do të mundësohet kjo përkrahja që në fund prodhuesi vendor të mund të ketë një çmim konkurrues. Por qëllimi është për qytetarin që të ketë cilësi dhe qasje më të lehtë, të mos ketë një laramani që ka sot”, ka thënë Kollçaku.

Ajo u përfshi edhe në debat me deputetin Haxhiu rreth formës së mëhershme të projektligjit, ku deputeti i PDK-së tha se janë bërë një vit e gjysmë prej kur partia e tij ka sjellë këtë projektligj i cili nuk u pranua nga shumica, e që projektiligji i tanishëm i sponsorizuar nga Ministria e Shëndetësisë është shumë më i dobët sesa ai paraprak.

Pas kësaj Komisioni e shtyu për një ditë tjetër votimin e Projektligjit për çmimin e produkteve mjekësore.