Për pengesat e mëdha që Serbia ia vë vazhdimisht Kosovës, janë ankuar sot prodhuesit e produkteve ushqimore në Komunën e Ferizajt.
Kësisoj, ata u kanë bërë thirrje shitoreve dhe qytetarëve që të mos blejnë produkte të këtij shteti. Njëkohësisht, kanë akuzuar qeveritë e Kosovës, të cilat që nga paslufta ia kanë lejuar Serbisë t’i sjellë produktet e veta pa ndonjë kriter.
Sipas prodhuesve, shumica e produkteve vendore sot shiten nëpër rrugë, derisa nuk po gjejnë treg të garantuar nëpër markete.
Këto dhe shumë kritika të tjera janë bërë gjatë një ceremonie solemne për nder të 21-vjetorit të një biznesi në Ferizaj, i cili asnjëherë nuk ka shitur produkte serbe.
“Ky është turp për Qeverinë tonë, por jo vetëm për këtë qeveri, por edhe të gjitha qeveritë e kaluara që nga fillimi. Që nga fillimi Qeveria e Kosovës ka bashkëpunuar me armikun, gjë që nuk është dashur të bashkëpunojë, sepse na ka shkatërruar në të gjitha anët e unë e falënderoj popullin e Ferizajt se pa atë nuk munden, e vetmja që nuk e merr mallin e armikut”, ka deklaruar Sylejman Neziri, pronar i “Plus Marketit” në qytetin e Ferizajt.
Thirrje për të mos blerë produkte serbe ka bërë edhe Burim Piraj, përfaqësues i biznesit “Mekaj” dhe i grupit “Besa-Besë”.
“Gjithashtu, ky shtet ka qenë edhe pengesë e madhe për bashkimin dhe ofrimin e Unionit Evropian dhe sot Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka liberalizim të vizave, prandaj nga ky vend i ftojmë të gjitha marketet dhe të gjithë konsumatorët që të mos blejnë prodhime serbe”, ka thënë Piraj.
Ndërkaq, edhe konsumatorët në Ferizaj kanë thënë se të gjitha marketet duhet të mbajnë vetëm prodhime vendore, derisa edhe çmimet e produkteve të Serbisë janë rritur në masë të madhe.
“Në fillim kam filluar të marr këtu produkte ushqimore, më nuk e kam ndërprerë, pritja e mirë, sjellje e mirë dhe plus asaj mall të Serbisë nuk ka këtu”, është shprehur Avdi Rrahmani, konsumator.
Në këtë ceremoni solemne ishin të ftuar edhe krerët e shtetit dhe të institucioneve komunale, por askush prej tyre nuk ishte i pranishëm.