Vetëm disa ditë pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës emëroi dy kryeprokurorë, Kujtim Munishin në krye të Prokurorisë Themelore dhe Blerim Isufaj në krye të Speciales, ka reaguar Ambasada Amerikane në Prishtinë.
Kjo ambasadë ka thënë të jetë e zhgënjyer me mënyrën se si KPK dështoi të ndiqte rregulloren e saj për zgjedhjen e kryeprokurorëve, raporton KTV.
“Të zhgënjyer që Këshilli Prokurorial i Kosovës dështoi të ndiqte rregulloren e vet në zgjedhjen e shefave për Zyrën e Prokurorisë Speciale dhe Zyrën e Prishtinës. Ne u dëshirojmë shefave të rinj suksese, por KPK duhet të ndjekë rregullat e veta për një proces transparent”, thuhet në deklaratën nga Ambasada Amerikanë, Prishtinë.
Por, krejtësisht ndryshe, këtë përzgjedhje e ka vlerësuar kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni.
Ai, në konferencën e fundvitit, përzgjedhjen e dy kryeprokurorëve e cilësoi si njërin ndër proceset më transparente në sistemin e drejtësisë.
IKD-ja, e cila ka monitoruar këtë proces, thotë se ajo çfarë ka ndodhur me këtë konkurs nuk përkon me rregulloren dhe se mënyra e poentimit dhe vlerësimit të kandidatëve nuk është bërë bazuar në rregullore.
Ndryshe, në konferencën e fundvitit, kryesuesi i KPK-së ka folur edhe për lëndët e korrupsionit.
Sipas Hysenit, 90% të lëndëve të korrupsionit janë të zgjidhura, derisa kur është pyetur për lëndët e profilit të lartë, ai ka thënë se për ta, nivel i lartë është çdo zyrtar publik i cili keqpërdor detyrën zyrtare.