Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Problemi i furnizimit me energji elektrike synohet të zgjidhet me sistemin e baterive

Një prej projekteve më të mëdha energjetike mbështetet me fondet amerikane. Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) ka organizuar procedurat e parakualifikimit rreth dizajnimit dhe ndërtimit të sistemeve të mëdha për ruajtjen e energjisë elektrike nëpërmjet baterive

Zyrtarë të lartë qeveritarë kanë shprehur besimin se stabilizimi i sistemit elektroenergjetik dhe njëkohësisht edhe ulja e kostos së importit do të arrihet nëpërmjet sistemit të baterive, projekt ky i cili është i mbështetur nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Në konferencën e organizuar të premten për procedurat e parakualifikimit rreth dizajnimit dhe ndërtimit të sistemeve të mëdha për ruajtjen e energjisë nëpërmjet baterive, kryeministri Albin Kurti ka thënë se projekti do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Së pari, do të stabilizojnë sistemin elektroenergjetik të vendit dhe do ta ulin koston e importit të energjisë. Së dyti, do të rrisin sigurinë dhe besueshmërinë e furnizimit me energji, si në amvisëri ashtu edhe për bizneset tona. Së treti, do të hapin rrugën për integrimin e mëtejshëm të energjisë nga burimet  e ripërtëritshme, si era, uji dhe dielli”, ka theksuar Kurti.

E ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se përdorimi i sistemit të baterive, të cilat do të vendosen në Ferizaj dhe në Istog, do ta ndihmojë edhe ekonominë e Kosovës.

“Rezervat e energjisë që do të ndërtohen përmes këtij programi do t’ia kursejnë sistemit elektroenergjetik të Kosovës një shumë prej më shumë se 15 milionë eurosh në vit. Sistemi i ruajtjes së energjisë në KOSST me kapacitet 45 MW, gjithsej 90 MW orë rezerva, për rezervën sekondare merr akivizim automatik, do të sigurohet për sigurimin e shërbimeve ndihmëse për balancimin e sistemit elektroenergjetik nga KOSST-i dhe gjithashtu përtej anës teknike e plotëson një kusht të anëtarësimit në NSI, që është gjithashtu shumë e rëndësishme”, ka thënë Rizvanolli.

Marrëveshja prej 200 milionë eurosh për projektin e baterive mbështetet nga fonde amerikane është nënshkruar tre vjet më parë ndërmjet Qeverisë dhe Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit.