Arbëri

Problemet e MPJ-së me shoferët, përmendet edhe “atentati terrorist”

Shantazhet, shtyrja e shoferëve për të bërë kundërvajtje e shmangia e veturave me targa zyrtare, kanë shkaktuar përplasje brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme. Vonesat në vendosjen e gomave dimërore kanë bërë që nga kabineti i ministres të ngrenë dyshime se dikush po ia dëshiron atentatin një zyrtari të lartë

Problemet e kabinetit dhe stafit politik me shoferët janë bërë çështje në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Debati i nisur për vendosjen e gomave dimërore në vetura zyrtare ka përshkallëzuar në akuza e pretendime se dikush po synon të bëjë atentat "terrorist" ndaj një zëvendësministreje.

Kjo konfirmohet nëpërmjet shkëmbimit të e-maileve mes zyrtarëve që menaxhojnë veturat dhe administratës së këtij institucioni.

Në letrën që zëvendëssekretarja, Elmaze Pireva, ia ka dërguar eprores së zyrtarit të transportit ka shprehur ankesat e kabinetit të ministres Gërvalla, së cilës ia ka përmendur edhe njerzillëkun. Sipas Pirevës, moszbatimi i detyrave të punës nga zyrtari i transportit Mehmet Krasniqi e ka rrezikuar jetën e zëvendësministrave.

“Organet shtetërore që janë të specializuara në fushën e komunikacionit jo rastësisht e kanë paraparë që duhet të fillohet të vozitet me goma të dimrit me datë 15 nëntor e tani jemi më 10 dhjetor. Nëse hiç si udhëheqëse e tij, si njeri është dashur të jesh më e ndjeshme dhe më e përgjegjshme lidhur me rastin”, i ka shkruar Pireva, Afërdita Arifit.

Por, sipas versionit të Krasniqit, të cilin e ka transmetuar eprorja tek zëvendëssekretarja, janë shoferët që kanë refuzuar t’i përmbushin obligimet, me gjithë kërkesat e vazhdueshme. Në njërin prej emaileve ai përmend kundërvajtjet që janë detyruar t’i bëjnë shoferët shkaku i kërkesave të zëvendësministrave.

“Të hënën vozitësi i zëvendësministres Liza Gashi, z. Gazim Rrahimi, ka qenë në zyrën e transportit dhe më ka njoftuar se vetura nuk po ngroh brenda. Edhe pas insistimit tim që të na e dorëzojë veturën për ta dërguar në servis, përgjigjja e tij ishte, jo se zëvendësministrja ka agjendë, gjithashtu i ofrova edhe veturë tjetër, veturë me goma dimri në mënyrë që mos ta lëmë keq, përgjigjja ishte prapë refuzuese me arsyetimin se nuk pranojmë veturë me 3Z, sepse shpesh po me detyron zv.ministrja me ba kundërvajtje e po kam frikë se na fotografon ndokush. Dhe prapë po ju njoftoj se as tani nuk e ka sjellë veturën për ta dërguar në servis”, ka qenë arsyetimi i zyrtarit të transportit.

Letrat konfirmojnë se refuzimi për ndërrimin e gomave dhe vërejtjet në veturën aktuale të zëvendësministres Gashi kanë ardhur për shkak se qëllimi është të merret vetura e tipit “Mercedes”, të cilën deri tani e ka shfrytëzuar Ambasada e Kosovës në Shkup. Por pengesë është bërë zhdoganimi që buxhetit do t’i kushtonte rreth 12 mijë euro.

Krasniqi më tej ka përmendur edhe shantazhet e shoferëve ndaj operatorit që mirëmban veturat e MPJ-së.

“OE Suzuki me të cilën kemi kontratë për servisimin e veturave më kanë njoftuar se dy vozitësit e zëvendësministrave kanë shkuar te servisi SUZUKI, dhe duke u thirrur në emër të zëvendësministrave e kanë keqpërdorur autoritetin dhe pozitën zyrtare duke i thënë pronarit të servisit se duhet me ta ndërpre kontratën, me arsyetimin se jeni shumë larg dhe nuk kemi mundësi me ardhë këtu”, thuhet në shkresën e zyrtarit të transportit.

“Kjo mënyrë e komunikimit përveçse nuk është aspak zyrtare, është shantazhuese ndaj ‘OE Suzuki’. Andaj i kisha lutur që tash e tutje çdo pakënaqësi ta paraqesin me shkrim tek Zyra e transportit, sepse ne jemi institucion dhe duhet ndjekur rrugën ligjore e jo shantazhuese”.

“Shantazhin” e ka konfirmuar edhe pronari i “Suzukit”, Gani Krasniqi, por që, sipas tij, kjo nuk i ka ardhur nga shoferi.

“Po, ka ardhë një ditë, nuk e dita as kush është vallahi, një shofer i zëvendësministrit ka qenë. Por ka qenë një djalë tjetër me të që foli edhe tha ‘larg te koka, kush ua ka dhënë kontratën’. I thashë çka po të intereson: tha i di unë këto punë. I thashë se unë e kam kontratën me MPJ, ka qenë proces i hapur, kush ka dashtë ka mujt me konkurru. Kam qenë më i liri e kam fitu kontratën. Me këta të tjerët kurrë telashe s’kemi pasur”, ka thënë Krasniqi për KOHËN.

E zyrtari i transportit në MPJ, Krasniqi, ka paralajmëruar se do të angazhojë avokat për t’u mbrojtur nga akuzat që i ka bërë zëvendëssekretarja.

“Nëse vazhdojnë të më sulmojnë duke më etiketuar si joprofesional, neglizhent, por edhe si person i cili kam tendenca të bëj atentat (d.m.th. unë jam terrorist) jam i obliguar ta mbroj veten dhe të angazhoj edhe avokat”, ka shkruar Krasniqi.

KOHA ka provuar të marrë një qëndrim nga Krasniqi dhe nga të apostrofuarit e tjerë në letërkëmbime, por ka munguar përgjigjja.

Sqarime nuk kanë ofruar as zëvendësministrja Gashi dhe as kabineti i Gërvallës, të cilët përmenden në letërkëmbime.