Arbëri

Pritjet e Qeverisë nga ATK-ja dhe Dogana – dy miliardë e 120 milionë

Qeveria e Kosovës ka paraparë që në buxhetin e vitit 2022 të grumbullojë 2 miliardë e 120 milionë euro të hyra. Arkëtimi i këtyre të hyrave po shihet sfidues nga ATK-ja, por jo edhe nga Dogana e Kosovës. Këto dy institucione brenda 10 muajve kanë grumbulluar mbi 1 miliard e 630 milionë euro gjatë dhjetë muajve

Afro 200 milionë euro më shumë se këtë vit planifikohet që të mbushet arka e shtetit nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës vitin e ardhshëm.

Objektivat e parapara në projektbuxhetin e 2022-tës parashohin që këto dy institucione të grumbullojnë 2 miliardë e 120 milionë euro. Brenda 10 muajve ATK dhe Dogana kanë grumbulluar mbi 1 miliard e 630 milionë euro, e që deri në fund të vitit mund të arrijë në afro një miliard e 900 milionë.

Buxheti i tërësishëm i shtetit për vitin 2022 parashihet të jetë 2.75 miliardë.

Arritja e këtyre projeksioneve po shihet sfiduese nga ATK-ja, por jo edhe nga Dogana e Kosovës.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, thotë se janë duke punuar në përmbushjen e hendeqeve tatimore, në mënyrë që të arrihen këto objektiva.

“Projeksioni 680 milionësh në realitet është një sfidë, pasi kemi një rritje bukur të madhe në raport me projeksionin për vitin 2021, kur dihet që projeksioni i 2021-tës me rishikim ka qenë 556 milionë euro, ndërsa tani shuma prej 680 milionë eurove është një shumë e konsiderueshme e rritur, do të thotë për mbi 125 milionë euro më tepër sesa periudha 2020 dhe në këtë drejtim jemi në përgatitje e sipër të disa hendeqeve tatimore që në të kaluarën nuk janë trajtuar në nivelin e duhur”, ka thënë Murtezaj.

ATK-ja gjatë periudhës janar-tetor ka inkasuar 512 milionë euro, që është totali sa kishte inkasuar gjatë komplet vitit 2019.

“Të hyrat e ATK-së gjatë periudhës janar-shtator 2021 kanë qenë 447 milionë euro, shumë kjo që nëse krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar i bie që për 110 milionë euro kemi të hyra të realizuara më tepër, ose në raport me vitin 2019 mbi 75 milionë euro. Deri sot kur po flasim i kemi të arkëtuara 512.5 milionë euro, shumë kjo që i bie më tepër se totali i krejt vitit 2019, që ka qenë si vit stabil”, ka thënë ai.

Sipas Murtezajt, ky është një indikacion që tregon performancën e institucionit dhe që, siç ka thënë, është në drejtimin e duhur për të tejkaluar objektivat.

Edhe nga Dogana kanë bërë të ditur se kanë arritur rekord të të hyrave, rreth 1 miliard e 125 milionë euro deri në fund të tetorit apo 280 milionë më shumë se vitin e kaluar.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, ka thënë se besojnë në arritjen e projeksioneve të parapara nga Qeveria.

“Rritja është rreth 33 për qind më shumë se vitin e kaluar. Këto të hyra edhe kundrejt projeksionit për këtë vit jemi shumë mirë, që deri në fund të vitit besojmë se do të mbledhim të hyra rekorde. Besojmë që edhe projeksioni i vitit të ardhshëm do të arrihet pasi që Dogana asnjëherë nuk ka pasur ndonjë luhatje të madhe nga projeksionet”, ka theksuar Stavileci.

Ka thënë se pritet që edhe projeksionet, pasi, siç ka thënë, Dogana nuk ka pasur ndonjë luhatje të madhe nga projeksionet.

“Nëse vazhdon ky trend i rritjes, atëherë edhe projeksioni për vitin e ardhshëm do të arrihet pa ndonjë problem”, ka thënë ai.

Në rritjen e të hyrave parashihet të ndikojnë TVSH-ja, rritja e importeve dhe eksporteve, si dhe rritja e çmimeve që parashihet që të ndodhë deri në mesin e vitit të ardhshëm.

Qeveria ka paraparë që rritja ekonomike të jetë 10 për qind, për dallim nga Banka Botërore që në raportin e saj parasheh një rritje prej 7.1 për qind.