Arbëri

Pritje deri në dhjetor për operimet e heqjes së bajameve në ORL të QKUK-së

Pacientët që duhet t’i heqin bajamet detyrohen të presin deri në dhjetor për t’iu nënshtruar këtij intervenimi në Klinikën e ORL-së në QKUK. Disa nga pacientët thanë se shkaku i terminit të vonshëm janë detyruar që zgjidhjen ta kërkojnë në klinika private. E në ORL thanë se pritjet janë pasojë e mbingarkesës me pacientë nga gjithë Kosova

Deri në muajin dhjetor duhet të presin pacientët për t’iu nënshtruar intervenimit kirurgjikal të heqjes së bajameve në Klinikën e Otorinolaringologjisë në Qendrën Klinike Universitare.

Njëri prej këtyre pacientëve, i cili foli nën kushtin e anonimitetit, tha se termini për këtë ndërhyrje i është caktuar për muajin e fundit të vitit, shkaku i listës së gjatë të pacientëve në pritje.

E meqë fëmija i tij ka pësuar infeksion të veshit, si pasojë e problemit me bajamet, tha se zgjidhjen është detyruar ta kërkonte në klinika private.

“Në QKUK më thanë që nuk ka termin deri në dhjetor dhe jam detyruar të shkoj në privat, se është fëmija shumë keq, i ka kaluar infeksioni edhe në vesh. Në privat në thanë që 800 deri në 1 mijë euro kushton nëse nuk ka nevojë me intervenu edhe në vesh. Tash dihet gjendja në Kosovë si është, nuk jemi në gjendje të paguajmë. Por, kur është situata për sëmundje duhet bërë një zgjidhje diçka”, ka thënë një familjar.

Në Klinikën e ORL-së, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, konfirmuan pritjet e ato i justifikuan me mbingarkesën nga pacientë prej të gjithë Kosovës.

Drejtori Arsim Behramaj tha se rastet në pritje nuk janë urgjente, teksa tregoi se brenda një dite në këtë Klinikë kryhen nga katër intervenime të këtilla.

“Klinika e ORL-së është i vetmi institucion në Kosovë që i kryen gati 95 deri 97% të intervenimeve për heqjen e bajameve. Vetëm një numër i vogël i këtyre operacioneve kryhen në spitale rajonale. Kjo ka ndikuar në shtimin e fluksit të pacientëve, si dhe listën e pritjes. Nuk është problemi i mjeteve por i kohës, meqenëse këto intervenime bëhen çdo ditë nga 4 operacione”, ka thënë Behramaj.

Ai theksoi se lista të pritjes ka edhe në reparte tjera të Klinikës, në të cilën operimet kryhen në katër salla.

KOHA raportoi në vazhdimësi për lista të gjata të pritjes nëpër klinikat e QKUK-së për intervenime e shërbime të ndryshme.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se ia ka kërkuar SHSKUK-së të gjitha listat e pritjes me qëllim të reduktimit dhe shmangies së tyre.

“Nga fillimi, nga java e parë e këtij viti, kemi kërkuar nga ShSKUK-ja që të dërgojë listat të cilat janë të nevojshme për t’u investuar që të mos ketë listë të pritjes dhe të bëhen edhe operacione të tilla të cilat më herët nuk janë bërë në sektorin publik”, ka thënë Vitia.

Lista të pritjes ka edhe në klinikat e Kardiologjisë, Radiologjisë dhe të Kirurgjisë Vaskulare. E në atë të Ortopedisë, pacientët duhet të presin edhe deri në pesë vjet për vendosje të protezave në gjymtyrë.