Arbëri

Priten probleme me ujin e pijshëm për shkak të reshjeve

Në orët në vazhdim pritet që të ketë probleme me ujin e pijshëm në zonat të cilat furnizohen nga kanali Ibër-Lepenc përmes impiantit Shkabaj.

Zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka thënë se aktualisht gjendja është stabile, por se gjatë natës mund të ketë turbullira të ujit.

“Gjendja aktuale me ujë të pijshëm vazhdon të jetë stabile edhe pse në bazë të statistikave që i kemi në impiantin e trajtimit të ujit në Shkabaj, uji që e marrim nga Ibër-Lepenci pritet të ketë shpejt turbullira të ujit. Njëherë përnjëherë nuk kemi ndonjë shqetësim, por bazuar në intensitetin e reshjeve priten turbullira në orët e mbrëmjes. Zonat që preken janë Fushë-Kosova, një pjesë e Obiliqit, Drenasit dhe Prishtinës”, ka thënë ajo në “60 Minuta” në KTV.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka paralajmëruar qytetarët që të mos i hapin pusetat e kanalizimit, pas paralajmërimeve nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës për vërshime. Kjo pasi sipas KRU-së ujërat e shiut mund të depërtojnë nëpër shtëpi.

“Përgjatë reshjeve të dendura, ndalohet rreptësisht hapja e pusetave të kanalizimit në mënyrë që ujërat e shiut të depërtojnë brenda në kanalizim, me ç’rast uji mund të depërtojë në shtëpitë tuaja”, thuhet në thirrjen e KRU-së.

Në apel thuhet se linjat e kanalizimit (ujërat fekale) në qytetin e Prishtinës janë në gjysmën e tyre linja të vjetra, të cilat janë dimensionuar dhe vendosur shumë kohë më përpara. Tutje thuhet se sistemet e kanalizimeve janë të përbashkëta (atmosferike dhe fekale) dhe kjo e rëndon dukshëm gjendjen e funksionimit në rastet kur ka reshje të vrullshme apo të shumta shiu.