Ndërmarrja “Prishtina Parking” ka rinisur punën, ndonëse 9 dispozita të rregullores për parkingje janë shpallur të jashtëligjshme nga Gjykata Supreme. Nga Komuna thonë se gjobat për parkim do t’i shqiptojë Inspektorati bazuar në një marrëveshje që ka arritur me ndërmarrjen për t’ia kryer këtë shërbim. Por juristët thonë se kjo mënyrë është pa bazë ligjore dhe në kundërshtim me aktgjykimin e Supremes
Të mërkurën ka rinisur punën ndërmarrja “Prishtina Parking”, duke u bazuar mbi rregulloren, 9 dispozita të së cilës janë shpallur të jashtëligjshme nga Gjykata Supreme. Mes tyre, edhe ajo për vënien e gjobave.
Tash, sipas Komunës së Prishtinës, gjobat do të shqiptohen nga Inspektorati dhe do të jenë për 10 euro më të larta se që ishin deri në ndërprerje të punës.
Në Komunë thonë se baza mbi të cilën do të shqiptohen gjobat është edhe një marrëveshje mes Drejtorisë së Inspektoratit dhe ndërmarrjes.
“Gjobat do të jenë 30 euro, nëse dikush e paguan gjobën brenda afatit 15- ditor, është sikur gjobat të cilat i shqipton policia, atëherë do të paguhet vetëm 50% e asaj gjobe, nëse dikush e tejkalon këtë afat natyrisht që gjoba do të paguhet e plotë e nëse nuk kemi pastaj përmbushje të këtij obligim për kryerjen e pagesave, atëherë natyrisht do të iniciohen procedura përmbarimore dhe do të tentohet që përmes përmbaruesit të inkasohen mjetet”, ka thënë drejtori i Inspektoratit, Bekim Brestovci.
Brestovci ka folur edhe rolin e Inspektoratit në vënien e gjobave.
“Gjobat nuk shqiptohen nga ‘Prishtina Parking’, gjobat shqiptohen drejtpërsëdrejti nga Inspektorati i Kryeqytetit, por këtë shërbimin logjistik e kryejnë punëtorët e ndërmarrjes publike ‘Prishtina Parking’, i bie sikur ta dërgonim një gjobë me postë, do të thotë ne e kemi gjetur një mënyrë tjetër që gjoba në veturë të vendoset pastaj, jo patjetër nga inspektori i Inspektoratit të kryeqytetit, por mund të vendoset nga një punonjës i ndërmarrjes, sepse tani veçse një marrëveshje në mes këtyre dy institucioneve”, ka thënë ai.
Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës iu shpallën si të jashtëligjshme 9 dispozita në prill të këtij viti, pas padisë së organizatës GLPS.
Ndër nenet e shfuqizuara janë ato të cilat rregullonin mënyrën e pagesës për shfrytëzim parkingu dhe gjobat e masat ndëshkuese, të cilat mund t’i vendosnin punëtorët e ndërmarrjes në rast mospagese apo të vonimit të pagesës.
Në nenin 25, të cilin nuk e ka shfuqizuar gjykata, Drejtoria e Inspektoratit ka kompetenca në vendosjen e gjobave nëse parkimi i automjetit është në kundërshtim me shenjat e trafikut, si dhe nëse vetura parkohet në pjesën e destinuar për personat me aftësi të kufizuara. Por ky nen nuk ia mundëson Inspektoratit gjobitjen në rast se makina është parkuar në mënyrë të drejtë dhe pronari i saj refuzon pagesën.
Avokati Anton Nrecaj ka thënë se Komuna e Prishtinës nuk po e respekton aktgjykimin e Supremes dhe se gjobitja e qytetarëve nuk ka bazë ligjore.
“Ajo dispozitë e nenit që thotë se duhet të shqiptohen gjobat është e kundërligjshme dhe natyrisht qytetarët kanë të drejtë të refuzojnë apo të mos e paguajnë gjobën dhe të njëjtën ta adresojnë sërish në gjykatë”, ka thënë Nrecaj.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar një ditë më parë për hyrjen në fuqi të rregullores së “Prishtina Parkingut”.
Ndaj këtij njoftimi ka reaguar opozita në kryeqytet, por edhe organizata GLPS. Ato kanë kërkuar që funksionalizimi i ndërmarrjes të bëhet përmes plotësim-ndryshimit të rregullores në asamble.