Arbëri

Prezantohen 20 punime shkencore në Kongresin e parë ndërkombëtar të Inxhinierisë Mekanike

Në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës (UP) për dy ditë radhazi i ka zhvilluar punimet Kongresi i parë Ndërkombëtar i Inxhinierisë Mekanike. Para rreth 300 pjesëmarrësve, gjatë kësaj ngjarjeje janë prezantuar 20 punime shkencore, në të cilat janë trajtuar tema të ndryshme - nga prodhimi, dizajni i automjeteve, energjia e ripërtëritshme e deri te ndotja e ajrit dhe trajtimi i mbeturinave

Profesorë universitarë, profesionistë të lëmenjve të ndryshëm, ndërmarrës dhe studentë vendës dhe ndërkombëtarë janë bërë bashkë për dy ditë radhazi për të shpalosur punime në kuadër të Kongresit të parë Ndërkombëtar të Inxhinierisë Mekanike, i cili është mbajtur të mërkurën dhe të enjten në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës (UP).

“ICME25” ka mbledhur udhëheqës nga akademia dhe industria për t’i trajtuar zhvillimet kryesore në fushën e inxhinierisë mekanike, zhvillimit të qëndrueshëm dhe inovacionit.

Mirlind Bruçi, i cili është dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në UP, ka thënë se gjatë këtij kongresi janë prezantuar 20 punime shkencore para rreth 300 mysafirëve pjesëmarrës.

“Për 58 vjet nuk ka ndodhur një kongres i tillë. Është mbajtur kongresi i parë në fushën e inxhinierisë mekanike, i cili ka trajtuar tema të ndryshme nga fusha e inxhinierisë, duke filluar nga prodhimi, mekatronika, dizajni i automjeteve, sistemet e energjisë së ripërtërishme dhe fushat që kanë të bëjnë me komunikacionin rrugor”, ka theksuar Bruçi.

Në ditën e parë të Kongresit, inxhinieri industrial nga Zvicra, Enver Alilaj, ka prezantuar para pjesëmarrësve idetë e tija për zhvillimin urban.

“Ishte ideja të flasim për dy kryeqytetet: Prishtinën dhe Tiranën, si t’i bëjmë më atraktive në syrin e të huajve. E ku e elaborova idenë që është më se e domosdoshme, hekurudha mes Prishtinës dhe Tiranës, si një domosdoshmëri e kohës, një tramvaj si të jetë qarkullues shumë më modern në kryeqytetin si Tirana dhe Prishtina”, ka theksuar ai në ditën e përmbylljes së punimeve të Kongresit.

Mentor Iliazi, i cili është kryetar i rrjetit të inxhinierëve dhe arkitektëve shqiptarë në Zvicër, ka theksuar se kolegët e tij kanë sjellë përvojat shkencore dhe profesionale para studentëve kosovarë.

E krahas kësaj, në këtë ngjarje janë trajtuar dhe diskutuar edhe tema të tjera, përfshirë atë për ndotjen e ajrit dhe trajtimin e mbeturinave.

“10 anëtarë kemi ardhur për t’i shkëmbyer përvojat tona profesionale dhe shkencore me studentët e Universitetit të Prishtinës. Është krenari të dëgjosh dhe të sjellësh përvojat dhe mirëkuptimin që ka qëndruar dhe mbizotëruar gjatë këtij kongresi. Ne kemi ardhur me një mesazh të fortë: Qëndroni në vendin e tuaj, si në Kosovë, si në Shqipëri, se është një ardhmëri. E dimë, jemi të vetëdijshëm që nuk është e lehtë, por ne jemi këtu dhe nuk do të lejojmë, do t’ju sjellim përvojat tona, do t’ju sjellim kompani të ndryshme me gjithë forcën dhe energjinë tonë”, ka theksuar Iliazi.

Kongresi ka vazhduar punimet me ligjërata të shumta nga studiues, shkencëtarë e profesorë të Universitetit të Prishtinës, të universiteteve nga vendet e rajonit, të Evropës, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Kinës dhe të Japonisë.

Gjatë tij janë prezantuar gjithsej 20 punime, ndërsa janë zhvilluar edhe një panel diskutimi dhe një punëtori.