Deri më 4 mars, deputetët kanë afat për të zgjedhur presidentin e ri. E teksa kanë mbetur më pak se 5 ditë afat, 120 deputetët ende nuk janë përballur me ndonjë kandidaturë zyrtare, por vetëm propozime nga akterë joparlamentarë.
Presidentja aktuale Vjosa Osmani ka shprehur ambiciet për të marrë edhe mandatin e dytë pesëvjeçar. Ajo u zgjodh më 4 prill 2021. Sipas Kushtetutës së Kosovës, një president i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, që do të thotë deri më 4 mars.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPërderisa veçse e ka shprehur ambicien, ende nuk ka nismë zyrtare publike për sigurimin e 30 nënshkrimeve të domosdoshme të deputetëve për të zyrtarizuar kandidaturën.
Mbështetje publike i ka dhënë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli. Ai ka thënë se Osmani është kandidatja e qëlluar, por se ka shtuar se si subjekt politik nuk i ka votat e mjaftueshme.
Votë për të ka thënë se ka edhe nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e grupit multietnik, Emilija Rexhepi. Megjithatë, ajo ka thënë se po presin propozimin nga Lëvizja Vetëvendosje si partia më e madhe.
LVV-ja ka 57 deputetë në Kuvend. Bashkë me 9 të komuniteteve joshumicë koalicioni qeverisës nuk arrin të krijojë 80-shin e kërkuar nga Kushtetuta për pjesëmarrje në dy raundet e para të votimit për president. E pas diskutimeve që pati me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, u shpreh se as me 15 votat e këtij subjekti “nuk arrihet siguria e numrave”.
Kurti ka thënë se takimet me liderët e partive opozitare do t’i vazhdojnë. Ai para takimit me Lumir Abdixhikun e LDK-së ishte takuar edhe me Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës. Liderët opozitarë kanë thënë se duan kandidat konsensual.
E një ish-ministër dhe ish-deputet nga radhët e PDK-së ka shprehur ambicie publike për të qenë president. Nëpërmjet një letre publike, akademiku Arsim Bajrami u ka kërkuar udhëheqësve të partive shqiptare të përfaqësuara në Kuvend që të ndërtojnë unitet politik, me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të parakohshme.
“Shpreh gatishmërinë time për të vënë veten në dispozicion të institucioneve dhe të spektrit politik dhe të qytetarëve të vendit si njëri prej kandidatëve konsensualë për president të Republikës së Kosovës, me përkushtim të plotë ndaj unitetit kombëtar, forcimit të rendit kushtetues, stabilitetit institucional dhe përmbylljes të procesit të shtetndërtimit, në shërbim të qytetarëve dhe të perspektivës evropiane të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Bajrami në letër.
Për post të presidentit janë propozuar edhe emra të tjerë. Shukri Buja, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka propozuar Jakup Krasniqin, ndërsa ish-ministri Vesel Krasniqi e ka propozuar kryetarin e partisë së tij, Fatmir Limajn, e Nismës Socialdemokrate.
Si opsion për postin e presidentit janë përmendur së fundi anëtarë të familjes së heroit, Adem Jashari. Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, ka theksuar të mërkurën që në rast se do të vinte një emër për president nga kjo familje, atëherë ai do të ishte “konsensus automatik” në shoqëri. Edhe kryeministri Kurti, ditë më parë ka qëndruar në Prekaz te familja Jashari dhe ka konfirmuar se ka biseduar me Rifat Jasharin “për çështje politike”. Emra nga kjo familje, edhe në të kaluarën janë përmendur si kandidatë potencialë për president, porse asnjë prej tyre nuk ka përfunduar në propozim zyrtar. E nga kjo familje kanë mohuar se kanë ndonjë qëllim për të kandiduar për postin e presidentit të vendit.
Sipas Kushtetutës, secili shtetas i Kosovës mund të nominohet kandidat për president po qe se i siguron nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve.
“Zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet president i Republikës së Kosovës. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet president i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh”, thuhet në nenin 86 të Kushtetutës.