Arbëri

Presidenti i Kroacisë reagon pas arrestimit të pilotit kroat nën dyshimin për spiunazh për Listën Serbe

Piloti kroat - e dashura

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka reaguar lidhur me hetimet ndaj pilotit të Ushtrisë së Kroacisë, J.I. (54), që së bashku me të dashurën e tij serbe nga Kosova po dyshohen për spiunazh.

Dyshimet janë se piloti kroat derisa ka shërbyer edhe në KFOR, i ka dhënë informacione mbi lëvizjet e trupave të KFOR-it të dashurës së tij serbe, e cila më pas ia ka dhënë ato Listës Serbe. Sipas “Indexit”, i dyshuari i dha informacione partneres së tij mbi lëvizjet e serbëve në veri të Kosovës që nga fundi i vitit 2022 deri këtë vit, ashtu si edhe për lëvizjet e trupave të KFOR-it.

Ndaj dy të dyshuarve është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

“Presidenti shpreh mbështetje për të gjitha institucionet e Republikës së Kroacisë, kryesisht për Ushtrinë e Kroacisë, e cila përmes veprimeve të veta ka përcaktuar kryerjen e mundshme të veprave penale në dëm të Republikës së Kroacisë dhe ka marrë masat e duhura për t’i identifikuar autorët e mundshëm dhe për të parandaluar vepra të mëtejshme penale”, thuhet nga Presidenca e Kroacisë.

Milanoviq, thuhet në deklaratë, se u informua në kohën e duhur për aktivitetet e shërbimeve kompetente dhe pret një hetim efikas që do të përcaktojnë të gjitha faktet.

Piloti së bashku me të dashurën A.M. që punon në Kosovë, kishin rrjedhur informacione sekrete për shumë vite.

Çifti u arrestua në Vis. Serbja nga Kosova fillimisht kishte përfunduar në qendrën e pritjes për të huajt në Trilje me urdhër dëbimi, por tash po hetohet për spiunazh.

Edhe deputetët kroatë kanë folur për këtë çështje. Kryetari i Komitetit të Mbrojtjes, Arsen Bauk, tha se ky është një problem serioz sigurie dhe se duhen pritur rezultatet e hetimit. Sandra Bençiq nga partia “Mundemi!” theksoi se siguria e qytetarëve dhe misioneve kroate jashtë vendit është në interes të të gjithëve. E Igor Peternel nga “DOMiNO” tha se “situata e sigurisë në Kroaci është shumë e dyshimtë”. Mishel Jakshiq nga SDP tha se pret një përgjigje lidhur me kontrollet e mundshme të sigurisë që mund të mungojnë, ndërsa Dario Hrebak nga HSLS-ja tha se raste të tilla mund të ndodhin në çdo vend, por ai beson se shërbimet do të reagojnë në mënyrë adekuate.