(E përditësuar 18:57) - Pas shqetësimeve të ngritura nga Presidenca e Kosovës për mungesë veprimi institucional ndaj kërcënimeve me jetë ndaj presidentes Vjosa Osmani, Prokuroria Speciale ka reaguar, duke deklaruar se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe ka caktuar një prokuror për rastin.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, menjëherë pas pranimit të informacionit nga Policia e Kosovës, një prokuror kujdestar nga Prokuroria Speciale ka autorizuar njësitë kompetente policore që të veprojnë në drejtim të identifikimit dhe zbulimit të personave të dyshuar.
“Të enjten, kur është pranuar raporti policor në lidhje me veprimet fillestare, është caktuar edhe prokurori përgjegjës për rastin, i cili do ta trajtojë këtë çështje me prioritet të lartë”, thuhet në komunikatën zyrtare.
Prokuroria thekson se do të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore të nevojshme për të siguruar zbardhjen e plotë të rastit dhe ndëshkimin e përgjegjësve të këtyre akteve.
Reagimi vjen pas kritikave të Zyrës së Presidentes, e cila përmes këshilltarit për media, Bekim Kupina, shprehu pakënaqësi se një javë pas raportimit të kërcënimit më të fundit, ende nuk ishte caktuar një prokuror që të merrej me rastin.
Prokuroria Speciale ka siguruar opinionin publik se është në koordinim të plotë me organet e sigurisë për të garantuar mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të përfaqësuesve të lartë të shtetit.
Presidenca e shqetësuar që s’është caktuar asnjë prokuror për t’u marrë me kërcënimet ndaj Osmanit
(16:56) - Presidenca e Kosovës ka shprehur shqetësim për mungesën e veprimit të Prokurorisë Speciale lidhur me hetimin e kërcënimeve me jetë ndaj presidentes Vjosa Osmani.
Bekim Kupina, këshilltar për media në Zyrën e Presidentes, ka thënë se rreth një javë pasi kërcënimi më i fundit u raportua në adresën zyrtare elektronike të Presidencës dhe u hap rasti nga Policia e Kosovës, ende nuk është caktuar asnjë prokuror që të merret me çështjen.
“Rreth një javë pas raportimit të kërcënimit të fundit me jetë të Presidentes Osmani i ardhur në adresën elektronike zyrtare të Presidencës dhe hapjes së rastit nga Policia, sot jemi njoftuar nga Policia se Prokuroria Speciale nuk e ka ngarkuar ende asnjë prokuror të merret me kërcënimet ndaj
Ai e quajti situatën “shqetësuese”, duke theksuar se mungesa e një reagimi të shpejtë dhe efikas nga ana e institucioneve të drejtësisë rrezikon jo vetëm sigurinë personale të presidentes, por edhe rendin kushtetues të vendit.
“Këto janë kërcënime ndaj kreut të shtetit dhe, rrjedhimisht, edhe ndaj rendit kushtetues. Duhet pasur parasysh se aktualisht, Presidenca është institucioni i vetëm me kompetenca të plota kushtetuese në funksion”, shtoi Kupina.
Zyra e Presidentes i ka bërë thirrje sërish autoriteteve përkatëse që të trajtojnë me seriozitet maksimal çdo kërcënim ndaj institucionit të Presidentit dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore pa vonesa.
Osmani ishte kërcënuar ditë më parë përmes një emaili anonim. Policia pati iniciuar rast penal, por s’ka pasur zhvillime të tjera.