Pesë vjet pas premtimit të Albin Kurtit për të themeluar Bankën Zhvillimore, ky institucion ende nuk ka marrë formë. Sipas planit legjislativ, ai pritet të realizohet tek në pjesën e dytë të 2027-s. E nga Zyra e Bankës Botërore në Kosovë kanë thënë për KOHËN se ende nuk është nënshkruar marrëveshja për financimin e projektit, pjesë e të cilit është edhe themelimi i Bankës Zhvillimore
Banka Zhvillimore ishte ndër zotimet më të zëshme ekonomike para ardhjes në pushtet të Albin Kurtit më 2021.
“Ne po hymë me idenë e Bankës Zhvillimore që i zbret kamatat nën 3 për qind e jo mbi 6 për qind si këto fajde me letra, dhe këto grejs periudhat të jenë më të gjata, në mënyrë që të mos me ardh puna me ja pagu kamatën bankës, hala pa ja pa fitimin”, pati thënë Kurti më 1 shkurt 2021.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPor, nga atëherë ka mbetur vetëm një premtim i përdorur për fjalime elektorale në tri palë zgjedhje të fundit.
Se ky institucion është larg themelimit, e dëshmon edhe plani legjislativ i Qeverisë, që këtë çështje e parasheh tek në gjysmën e dytë të vitit 2027.
Rreth 1 vit e gjysmë më parë, ministri i Financave, Hekuran Murati, pati paralajmëruar se me mbështetje të Bankës Botërore së shpejti do të fillojë puna për themelimin e Bankës Zhvillimore.
“Me Bankën Botërore së shpejti fillon puna për themelimin e bankës zhvillimore. Është edhe një premtim që do të përmbushet nga Qeveria jonë, sepse e kemi thënë dhe do të bëhet. Banka Zhvillimore po bëhet realitet dhe shumë shpejtë do të jetë në shërbim të bizneseve të zhvillimit të vendit dhe krijimit të vendeve të punës dhe mirëqenies”, pati thënë Hekuran Murati, ministër i Financave.
E nga Zyra e Bankës Botërore në Kosovë kanë thënë për KOHËN se ende nuk është nënshkruar marrëveshja për financimin e projektit, pjesë e të cilit është edhe themelimi i Bankës Zhvillimore.
“Projekti i Zhvillimit të Sektorit Financiar (FinDev), me vlerë 52 milionë dollarë (49.3 milionë euro), u miratua nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore më 16 janar 2025. Financimi është një kredi koncesionale nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA) i Bankës Botërore. Që marrëveshja e financimit të projektit të hyjë në fuqi, ajo duhet të bashkënënshkruhet nga përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Botërore dhe më pas të ratifikohet nga Parlamenti i Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë.
Ky projekt, sipas Bankës Botërore, mes tjerash do të ndihmojë Ministrinë e Financave në krijimin e një Banke Kombëtare për Zhvillim, e cila do të ishte një institucion që nuk pranon depozita.
Sipas saj, ajo do të ofronte financim shtesë në krahasim me burimet komerciale të financimit, përfshirë këtu përpjekjet për të ngushtuar hendeqet e financimit për popullatat e pashërbyera dhe për zonat prioritare me potencial për të nxitur mundësi ekonomike.
KOHA ka kërkuar përgjigje nga Zyra e Kryeministrit dhe nga Ministria e Financave rreth vonesës në themelimin e këtij institucioni, por nuk ka marrë përgjigje.
Në Programin Qeverisës 2021-2025 theksohej se Banka Zhvillimore do të jetë mekanizëm për mbështetjen e sektorit privat dhe promovimin e investimeve.
Sipas atij dokumenti, ajo do të duhej të ishte komponenti kreditues, që do të financohej nga paratë publike dhe nga shitja e letrave me vlerë, duke investuar në degë të caktuara të industrisë, që krijojnë vende pune dhe përmirësojnë bilancin tregtar.