Arbëri

Premtimi i papërmbushur i Aliut në Shtime, nga 9 drejtori vetëm dy udhëhiqen nga gratë

Me gjithë premtimin për përfaqësim më të madh të grave në ekzekutiv, kryetari i Komunës në Shtime, nga gjithsej 9 drejtoritë sa i ka nën menaxhim, vetëm në dy ka emëruar udhëheqëse gra. Ai së fundi ka nxitur edhe reagime me deklaratën se në Lëvizjen Vetëvendosje në këtë komunë ka mungesë kuadrosh profesionale. E pakënaqësi për këtë, përveçse nga deputetët opozitarë në Kuvendin Komunal, janë shprehur edhe nga qytetarët dhe nga shoqëria civile

Një premtim të dhënë gjatë fushatës zgjedhore, Qemajl Aliu nuk e ka përmbushur pas emërimit si kryetar i Komunës së Shtimes.

Asokohe, ai ishte zotuar se gjysma e drejtorive komunale, që do t’i kishte nën menaxhim, do të udhëhiqeshin nga gratë. E tani, nga nëntë sa janë, vetëm dy drejtori kanë si drejtuese gratë.

I përballur me kritika në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal rreth përfaqësimit të munguar të grave, kryetari Aliu ka nxitur përplasje me deputetët opozitarë, pasi të ketë deklaruar se në Lëvizjen Vetëvendosje, së cilës i përket, nuk ka kuadro nga radhët e gjinisë femërore.

“Kuota gjinore, zonja Beqa, çfarë të bëjmë se ne në Vetëvendosje nuk e kemi fatin të kemi kuadro siç ju ka juve PDK-ja”, ka thënë ai në një seancë së fundmi.

Adelina Beqaj, kuvendare nga radhët e Partisë Demokratike, ka theksuar se kryetari Aliu ka akomoduar si drejtorë disa militantë që nuk kanë arritur të bëhen kuvendarë.

“Shprehim shqetësimet tona për të gjitha ato gra që e kanë përkrahur kryetarin aktual, ndërkohë kryetari aktual del me deklarata skandaloze. Ne si parti në të kaluarën kemi dëshmuar se 50 për qind e ekzekutivit është udhëhequr nga gratë dhe këto gra janë treguar shumë të suksesshme në dikasteret e tyre me shumë përgjegjësi”, ka thënë Beqaj.

Për deklaratën e Aliut, shqetësime janë shprehur edhe nga monitoruesit e Komunës.

“Nga nëntë drejtori, vetëm dy prej tyre i ka nga gjinia femërore dhe për neve është tejet shqetësuese, sepse numri i tyre duhet të jetë më i madh. Duhet bazuar nga praktikat dhe nga premtimi i tij. Natyrisht, ju e dini shumë mirë dhe opinioni i gjerë se Aliu ka premtuar se nënkryetaren e Komunës do ta emërojë nga gjinia femërore, por në këtë rast nuk është”, ka thënë Kenan Gashi nga organizata “AVONET”.

Gashi ka vlerësuar gjithashtu se përfaqësimi gjinor në ekzekutivin e Aliut po tregon një performancë të dobët të qeverisjes.

Pakënaqësinë për përfaqësimin e pamjaftueshëm të grave në poste udhëheqëse në Komunë e kanë shprehur edhe disa qytetarë.

“Është shqetësuese fakti sepse kryetari Aliu jo vetëm në ekzekutiv, por edhe në konkurse publike bën diskriminimin e femrave. Rasti konkret është konkursi i fundit në Qendrën për Punë Sociale, ku vetë kam aplikuar dhe i kam plotësuar të gjitha kriteret, ndërsa kryetari ka punësuar dy militantë të partisë së vet, meshkuj”, ka thënë Gjylfidane Ramadani.

E kryetari Aliu nuk u është përgjigjur telefonave dhe pyetjeve të adresuara nga KOHA lidhur me çështjen.