Banorët e Fshatit të Vjetër, Talinoc, Bibaj, Dardani, Zllatar dhe Sojevë të Komunës së Ferizajt po vazhdojnë të përballen me mungesë të ujit të pijshëm. Kjo për shkak se prej më shumë se pesë vjet komuna ka dështuar ta funksionalizojë fabrikën e re të ujit të pijshëm. Zvarritja e këtij projekti ka nxitur reagimin e banorëve.
Prej më shumë se pesë vjetësh po zvarritet funksionalizimi fabrikës së ujit në fshatin Talinoc të Komunës së Ferizajt që do t’i mbulonte pesë fshatra. Për këtë projekt komuna pati marrë një kredi të butë në vlerë prej 5 milion eurosh nga Qeveria e Austrisë, por punimet ende nuk kanë përfunduar.
Funksionalizimin sa më të shpejtë të saj po e kërkojnë banorët.
Përfaqësuesi i fshatit Talinoc, Njazi Behluli, tregon për telashet rreth furnizimit me ujë.
“Kohën e fundit 3 ditë deri në 7 ditë nuk ka pasur ujë, brenda ditës ka pasur ujë vetëm sa për t’i mbushur 2 apo 3 litra. Shumica e fshatarëve nuk kanë puseta nëpër shtëpi. Krejt i kanë shërbimet nga ujësjellësi i vjetër e tash është koha e mungesës së ujit edhe puseta po harxhohet, kjo tjetra nuk është në funksion hiç”, ka thënë ai.
Me mungesë të ujit po përballet edhe objekti i shkollës fillore në këtë fshat.
“Ka ndërprerje të shpeshta të ujit, edhe ku ka furnizim është konstatuar se uji është i pa pijshëm, andaj janë të rrezikuar fëmijët, nxënësit dhe qytetarët ta përdorin këtë ujë, andaj ne kërkojmë që sa më shpejt të funksionalizohet fabrika e re e ujit”, ka thënë banori Refik Azizi.
Në Komunën e Ferizajt, zvarritjen e kanë lidhur me pandeminë.
“Zvarritja e projektit është bërë për shkak të pandemisë Covid dhe për shkak të mungesës të disa elementeve në sistemin e ‘Skadave’ që kanë qenë të planifikuara të vijnë nga jashtë vendi. Jemi në fazën finale në trajnimin e stafit dhe shumë shpejtë do të jetë në funksion për qytetarët”, ka thënë Meriton Hajdini, drejtor për Infrastrukturë.
Kjo fabrikë është planifikuar të prodhojë ujë të pijshëm prej 80 litrash për sekondë dhe do ta furnizojë Fshatin e Vjetër, Talinoc, Bibaj, Dardani, Zllatar dhe Sojevë.