Arbëri

Prej pesë vjetësh zvarritet projekti i rrugës “Idriz Seferi” në qendër të Kaçanikut

Komuna e Kaçanikut prej 2016-s ka dështuar ta asfaltoi rrugën më të vjetër në qendër të qytetit “Idriz Seferi”, e cila dikur lidhte Shkupin, Selanikun dhe Stambollin me qytetet e Kosovës. Këtë rrugë me gjatësi prej rreth 1.5 kilometrash gjatë ditës frekuentohet nga qindra e mijëra qytetar. Komuna në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës patën nisur asfaltimin e saj më 2016-n, mirëpo deri më tash nuk ka përfunduar. Në komunë kanë thënë se shkaku i një kontesti me punëkryesin është dashur të presin pesë vjet për ta shkëputur kontratën, ndërkohë gjatë këtij viti pritet të ritenderohet sërish i njëjti projekt. Shkaku i zvarritjes së këtij projekti, kanë reaguar qytetarët dhe opozita në këtë komunë, duke kërkuar nga komuna me urgjencë ta asfaltojnë atë.

Liridon Krasniqi, banor nga Kaçaniku, ka thënë se disa herë gjatë ditës e frekuenton këtë rrugë me gropa e cila po e vështirëson qarkullimin e këmbësorëve dhe veturave. “Në këtë aks të rrugës ka pasur edhe rrëshqitje të dheut në të kaluarën dhe për disa ditë rruga ka qenë e pa kalueshme. Pastaj këtu mungon trotuari dhe ndriçimi publik. Është një rrugë e shkurtë por në qendër të qytetit dhe kjo po ia humb edhe pamjen dhe bukurinë e qytetit. Rrëshqitjet e trasesë së rrugës po paraqiten shpeshherë sa herë që ka të reshura të shiut, andaj kërkojmë nga komuna me urgjencë ta asfaltoi atë. Në komunë nuk kanë dhënë asnjëherë detaje se pse po zvarritet ky projekt”, ka thënë Krasniq.

Jeton Raka, anëtar i kryesisë në Lëvizjen Vetëvendosje në Kaçanik, ka thënë se rruga “Idriz Seferi”, është një ndër rrugët kryesore dhe më të vjetra për shumë shekuj në Komunën e Kaçanikut që dikur lidhte Shkupin, Selanikun dhe Stambollin me pjesët tjera të Kosovës. Sipas tij, kjo rrugë vazhdon të jetë në gjendje të mjerueshme, derisa qeverisja lokale nuk e kishte parë asnjëherë të nevojshme të investojë në këtë rrugë deri në vitin 2016 kur Ministria e Infrastrukturës kishte ndarë një shumë prej 245.000 euro.“Punimet kishin filluar deri në shpenzimin e këtyre mjeteve. Kjo rrugë kishte filluar të ndërtohet para zgjedhjeve nacionale të qershorit të 2017, por që nga atëherë punimet mbetën në gjysmë dhe asnjëherë ekzekutivi komunal nuk e pa të arsyeshme të investoj në këtë rrugë që të lehtësoj qarkullimin për banorët e kësaj rruge, e cila po ashtu lidh pjesën jugore të Kaçanikut me rrugën magjistrale”, ka kritikuar Raka. Sipas tij, ekzekutivi komunal që thirrej në transparencë, prej kohësh e ka fshirë nga faqja zyrtare këtë kontratë dhe të gjitha njoftimet tjera para vitit 2017. Kjo, sipas tij, përbën shkelje ligjore. “Në vitin 2019 Komuna kishte filluar procedurat e tenderimit për vazhdimin e këtij projekti, pra vetëm për një pjesë në gjatësi 420 metra, ndërkohë kishte nënshkruar kontratë me Operatoret Ekonomik “NIKA PrO-Ing SH.P.K” në vlerë 134.567,28 euro, por as kjo nuk i mjaftoi për ta përfunduar këtë rrugë”, ka thënë Raka. Ai ka bërë me dije se disa ditë para se ish Ministri i Infrastrukturës ta dorëzoi detyrën ka nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi për “financim” të rrugës “Idriz Seferi” në vlerë prej 176,975 euro. “Kjo ishte një tallje e ish Ministrit Abrashi me Kryetarin Ilazi, sepse nënshkrimi i marrëveshjeve të tilla një javë para se ta lirojë detyrën tregon seriozitetin e Kryetarit aktual të Komunës për t’i realizuar vërtet projektet. Më tepër se për interesin publik, ekzekutivi komunal kujdeset që në prag të fushatave zgjedhore t’i mirëmbajë operatorët ekonomik. Trendi i zhvillimit të projekteve kapitale na e tregon progresin tonë komunal. Banorët e kësaj ane janë ankuar disa herë, mirëpo nuk kanë gjet mirëkuptim dhe mbështetje nga komuna”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër Ramadush Osmani, drejtor për Shërbime Publike në Komunën e Kaçanikut, ka sqaruar se ky projekt më 2016-n ka qenë i planifikuar të realizohej me buxhet të ministrisë së Infrastrukturës, ndërkohë një pjesë e projektit ka përfunduar sipas kontratës. Por, sipas tij, gjatë periudhës së fundit kohore kontrata i është ndërprerë operatorit për shkak të disa kontesteve dhe mos-respektim të kontratës. “Kurse tash ne si Komunë e kemi arritur një marrëveshje me këtë ministri për t’i zhvilluar të gjitha procedurat ne si komunë në mënyrë që rruga të asfaltohet sa më shpejtë. Tash aktualisht veç jemi duke e pritur zotimin e mjeteve dhe jemi duke e përgatitur dosjen e tenderit. Për këtë trase janë të ndara 176 mijë euro dhe sivjet do të asfaltohet”,ka sqaruar Osmani. Sipas tij, në këtë aks të rrugës do të ndërtohet trotuari, ndriçimi publik dhe do të ndërtohej një bazë mbrojtëse derisa rruga gjendet 200 metra afër shtratit të lumit Lepenc.