Lipjani është pa stacion autobusësh, e autoritetet komunale nuk kanë paraparë të investojnë në të as në tri vitet e ardhshme. Kjo ka nxitur reagimin e opozitës, e edhe të përfaqësuesve të kompanive të udhëtarëve
Komuna e Lipjanit është pa stacion autobusësh, që nga paslufta. Kompanitë që organizojnë transportin e udhëtarëve janë duke i parkuar ku të munden autobusët, e të cilët jo rrallëherë shkaktojnë kaos urban.
Çështja është debatuar disa herë edhe në mbledhjet e Kuvendit Komunal në Lipjan, por për tre vjetët e ardhshëm nuk është planifikuar ndonjë kod buxhetor për investime në këtë projekt.
Kjo çështje ka nxitur reagimin e opozitës, e edhe të përfaqësuesve të kompanive të udhëtarëve.
Patriot Gashi, përfaqësues i një kompanie të udhëtarëve, ka thënë se disa kompani shpeshherë po e shfrytëzojnë hapësirën e ish stacionit të vjetër të autobusëve, megjithëse ai nuk po menaxhohej nga askush, por nuk i plotëson kushtet teknike.
“Shqetësimet e tona janë se këtu nuk ka perona, nuk ka ndriçim natën, këtu janë vjedhur edhe tabelat e autobusit, po ashtu edhe mua personalisht. Këtu po rri rinia shumë dhe po e shfrytëzon për dukuri jo të mira gjatë natës”, ka thënë Gashi.
Ndërkaq, Besiana Syla, kuvendare nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se disa herë e kanë vizituar ish-objektin e stacionit të autobusëve, i cili po shfrytëzohej për dukuri negative dhe askush nga institucionet komunale nuk është angazhuar për investime.
“Siç shihet është një dukuri e paprekur prej 23 vjetësh pas lutës. Komuna e Lipjanit nuk ka arritur ndonjë plan konkret që ta ndërtojë një stacion të autobusëve, ose ta rindërtojë stacionin aktual, i cili është shkatërruar dhe i djegur dhe i cili siç shihet përveçse 3 autobusëve të djegur shihet se po shfrytëzohet edhe për dukuri negative”, ka thënë Syla.
Ajo ka shtuar se është shqetësuese se për tri mandate me radhë qeverisja e Lidhjes Demokratike nuk ka arritur ta ndërtojë një stacion të autobusëve, megjithëse ka pasur kërkesa edhe nëpërmjet kuvendarëve.
“Ne si përfaqësues të qytetarëve e kemi ngritur këtë shqetësim edhe në Kuvend, sepse është shqetësuese për tri mandate ekzekutivi i Lipjanit nuk ka arritur ta ndërtojë një stacion të autobusëve. Nuk ka pasur investime as në të kaluarën por nuk parashihen as investime aktuale”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, Lumturije Hasani, kuvendare e Partisë Demokratike ka thënë se autobusët shpeshherë në mënyrë të jashtëligjshme po e shfrytëzojnë hapësirën e oborrit të shtëpisë së kulturës dhe të tregut të gjelbër.
“Fatkeqësisht në shtator e kemi aprovuar buxhetin komunal dhe në buxhetin për investime kapitale nuk është listuar ndonjë investim për këtë stacion për tre vjetët e ardhshëm sipas kornizës afatmesme buxhetore. Mendoj se komuna duhet të merrej më urgjentisht me këtë çështje për shkak se shoferët dhe kompanitë e autobusëve po i parkojnë autobusët në vendet jo adekuate”, ka thënë Hasani.
Sipas saj, hapësira e ish stacionit të autobusëve po vazhdon të shfrytëzohet për dukuri negative nga të rinjtë.
“Lipjani ka shumë fshatra dhe ka linja të shpeshta të autobusëve, andaj në orët e mbrëmjes qyteti bllokohet nga parkingu jo i rregullt i autobusëve vend e pa vend. Ne e kemi ngritur këtë çështje edhe në mbledhjet e Kuvendit, por nuk kemi marrë asnjëherë ndonjë përgjigje. Andaj ne konsiderojmë se nuk ka ndonjë trajtim serioz rreth kësaj çështjeje. Ndërkaq, ish-objekti i vjetër i stacionit po shfrytëzohet për dukuri negative dhe kjo është shumë shqetësuese për të gjithë”, ka theksuar Hasani.
Në Komunën e Lipjanit prej disa ditësh nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me çështjen e stacionit të autobusëve.