Arbëri

Prej gjashtë vjetësh, pacientët në pritje për operim në fytyrë

Janë 52 qytetarë janë të regjistruar në listën e pritjes për intervenim në Klinikën e Kirurgjisë Maksilofaciale, me qëllimin për t’i trajtuar anomalitë e lindura të gojës, nofullave dhe fytyrës. Lista daton që nga viti 2019, meqë në mungesë të materialit, shërbimet nuk ofrohen.

Prej gjashtë vjetësh nuk mund t’i marrin shërbimet në Klinikën e Kirurgjisë Maksilofaciale qytetarët që kanë nevojë për trajtim kirurgjik të anomalive të lindura të gojës, nofullave dhe fytyrës.

Për pasojë, që nga viti 2019, 52 qytetarë figurojnë në listë të pritjes për kirurgji ortognatike.

Një nga ta ka treguar në kushte anonimiteti se për mungesë shërbimi është ankuar edhe në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Ky repart që nga koha e pandemisë ofron shërbime vetëm për rastet urgjente, duke lënë jashtë mundësisë për trajtim të pacientëve me raste të ftohta ose të planifikuara... Mungesa e mundësisë për trajtim të rasteve të ftohta ka krijuar vonesa dhe pasojë negative në shëndetin tim të prekur, duke përfshirë mundësinë e përkeqësimit të gjendjes sime deri në atë pikë sa mund të kërkojnë trajtime më të shtrenjta dhe më të komplikuara”, ka thënë një nga pacientët.

Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Maksilofaciale, Alban Olluri, arsyetoi mungesën e shërbimeve që nga 2019-a, dhe vlerësoi se te pacientët që presin duhet bërë korrigjime estetike, ani se anomalitë e tyre janë të lindura.

“Atëherë ka qenë arsyeja e anesteziologëve, sot qëndron po ashtu arsyeja e anestezionit se nuk mund të lëmë në pritje raste që kanë tumore apo anomali të tjera të lindura, apo gjana të tjera, patologji të tjera, infeksione apo çfarëdo tjetër e të marrim të operojmë një pacient që ka nevojë për korrigjime estetike. Përveç asaj kemi mungesë të pllakave, të materialit shpenzues që përdoret në raste të tilla që quhen pllaka të ososintezës”, ka thënë drejtori Olluri.

Ai thotë se Klinika ka kërkuar të furnizohen me 6 sete të pllakave për një periudhë trevjeçare, porse tenderët e hapur deri më tani kanë dështuar në mungesë të ofertuesve.

“Në momentin që furnizohemi me materialin shpenzues për Kirurgji Ortognatike që hyn në kuadër të Kirurgjisë estetike, ne do të fillojmë por jo përnjëherë”, ka thënë Olluri.

Në QKUK thanë se në periudhën prej rreth një viti e gjysmë prej kur është emëruar menaxhmenti aktual, janë zhvilluar dy procedura të prokurimit dhe një është e hapur.

“Janë ndërmarrë hapa konkretë për inicimin dhe procedimin e kërkesave për furnizim me sete të pllakave dhe vidave të nevojshme për trajtimin kirurgjikal të pacientëve me trauma kraniofaciale. Për këtë qëllim janë zhvilluar dy herë procedura të prokurimit publik (tendera), të cilat fatkeqësisht kanë dështuar për shkak të mungesës së ofertave të përgjegjshme nga operatorët ekonomikë. Aktualisht, procedura për furnizim është në proces dhe pritet të përmbyllet sipas rregullave dhe afateve të përcaktuara nga legjislacioni përkatës mbi prokurimin publik”, thuhet në një përgjigje të shkruar të QKUK-së.

E, për aq kohë sa nuk lidhen kontratat, 52 pacientëve në pritje nuk do t’u ofrohet shërbimi i kërkuar.