SHSKUK-ja e ka shkelur Udhëzimin administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë për publikimin e shërbimeve që ofron, gjë që do të duhej ta bënte dy javë më parë. Ky udhëzim ka 30 ditë prej kur ka hyrë në fuqi e në SHSKUK thonë se ende janë duke e verifikuar listën e shërbimeve.
Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (SHSKUK) nuk ka publikuar listën e shërbimeve që ofron, ndonëse janë bërë dy javë prej kur obligohet me Udhëzimin e ri administrativ për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike.
Në nenin 13 të këtij udhëzimi kërkohet nga ShSKUK-ja që në web-faqen zyrtare ta publikojë atë jo më vonë se 30 ditë nga hyrja në fuqi e tij.
“ShSKUK në çdo njësi përbërëse të saj dhe në web-faqen zyrtare publikon listën e shërbimeve të ofruara jo më vonë se 30 ditë nga hyrja në fuqi e këtij udhëzimi dhe e përditëson për çdo shërbim të ri të shtuar”, thuhet në këtë dokument.
Udhëzimi administrativ që ka hyrë në fuqi më 6 shtator ka paraparë edhe disa detyra të tjera lidhur me raportimin e ofrimit të shërbimeve.
“Drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së njofton Fondin për listën e plotë të shërbimeve që ofrohen në institucionet publike... Drejtori i ShSKUK-së njofton zyrtarisht jo më vonë se 48 orë Fondin për shërbimin e ri të shtuar nga SHSKUK”, vijohet në të.
Por të gjitha këto të dhëna nuk figurojnë dhe në mungesë të përditësimit të tyre nuk mund të ndryshohet as lista e patologjive që mbulohet nga Fondi i sigurimeve shëndetësore.
Në ShSKUK thanë se janë në proces të verifikimit të listës së shërbimeve.
“Lista e Shërbimeve është përfunduar, por u është ridërguar klinikave për verifikimet e fundit dhe së shpejti publikohet te web-faqja. Vonesa ka ndodhur, meqë bëhet fjalë për shumë shërbime që është dashur të verifikohen dhe të mos lejohen të ndodhin lëshime”, thuhet në një përgjigje të shkruar të SHSKUK-së.
Edhe në web-faqe të Fondit të sigurimit shëndetësor mungojnë të dhënat për radhën e shqyrtimit të aplikimeve për trajtim jashtë vendit, ndonëse e parasheh në këtë udhëzim administrativ.
“Publikon radhën e shqyrtimit të aplikimeve nga Bordi për TMJIShP në web-faqen zyrtare të Fondit dhe sigurohet që e njëjta publikohet në web-faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe përditësohet më së voni çdo pesë (5) ditë pune”, thotë dokumenti.
Në Fondin për trajtim jashtë vendit thanë se nuk e kanë listën e shërbimeve të ShSKUK-së, e për publikimin e radhës të shqyrtimit të aplikacioneve nuk dhanë afat të caktuar kohor.
E përgjigje nuk kanë kthyer në Ministrinë e Shëndetësisë për mosrespektim të udhëzimit.
KOHA vitin e kaluar ka raportuar për një sërë keqpërdorimesh e abuzimesh që janë bërë në emër të trajtimit të pacientëve jashtë institucioneve shëndetësore publike. Ndër to ishte edhe referimi i pacientëve jashtë vendit për patologjitë që trajtohen në Kosovë.