Rreth 200 familje të fshatit Bujan të Komunës së Lipjanit, prej më shumë se dy javë po përballen me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike si pasojë e mbingarkesës së madhe të shpenzimit të energjisë.
Banorët kanë thënë se rreth kësaj çështje janë ankuar disa herë në KEDS, mirëpo sipas përgjigjeve që kanë marrë banorët duhet ta kursejnë energjinë elektrike derisa sistemi i vjetruar nuk e përballon presionin e madh të energjisë.
Banorët e këtij fshati edhe në të kaluarën patën kërkuar nga KEDS-i që ta sjellin një trafo të re, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Banorët kanë thënë se sa herë që ka defekte në sistemin e energjisë elektrike, KEDS-i intervenon me vonesë.
Afrim Buja, banor i këtij fshati ka thënë se rreth 200 familje sa ka fshati shpeshherë po mbesin pa rrymë me orë të tëra. Sipas tij, kërkesat nuk po shqyrtohen nga KEDS-i për ta sjellë një trafo të re të energjisë elektrike.
“Po bëhen më shumë se dy javë që ne si banorë të fshatit Bujan, po ballafaqohemi me probleme të ndërprerjes së rrymës. Shkaku i kësaj kanë filluar të dëmtohen edhe pajisjet e amvisërisë dhe gjërat ushqimore që i kemi nëpër frigorifer. Ne e kemi vetëm një trafo në fshat andaj në KEDS, më kanë thënë se nuk i përballon 200 shtëpi, ndërkaq kërkesat tona nuk janë shqyrtuar për vendosjen e një trafoje të re e cila i përballon ngarkesës më të madhe”, ka thënë Buja.
Sipas tij, në disa lokalitete të tjera edhe lagjet e tyre kanë përfituar trafo nga KEDS-i, ndërkaq fshati Bujan ka mbetur pas dore sa i përket investimeve kapitale nga KEDS-i.
“Ne kemi kërkuar që një trafo e re të vendoset në pjesën tjetër të fshatit në mënyrë që mos të kemi probleme të tilla. Kërkojmë edhe një herë nga KEDS-i, t’i marrë parasysh kërkesat e tona sepse shpeshherë po ndërpritet rryma shkaku që trafoja ekzistuese nuk po e përballon ngarkesën dhe për këtë arsyeje po shkaktohen edhe defekte. Jemi taksapagues të rregullt, prandaj duhet të kemi edhe ne të drejta tona për të kërkuar shërbime më cilësore”, ka kërkuar Buja.
Ndërkaq, po ashtu edhe Valdet Buja, banor nga ky fshat ka shpjeguar se në të kaluarën ka pasur edhe peticione nga banorët për vendosjen e një trafoje të re, mirëpo deri më tash nuk janë shqyrtuar ato.
“Patëm bërë edhe peticion për këtë çështje por prapë se prapë gjendja është e njëjtë dhe nuk është shqyrtuar ajo kërkesë e jona. Kuptohet se gjatë sezonit dimëror energjia e dobët dhe ndërprerja e saj e vazhdueshme po paraqet telashe për të gjithë”, ka thënë Buja.
Në anën tjetër KEDS-i, gjatë së martës nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me këtë çështje.