Të gjitha afatet për kryerjen e punimeve kanë përfunduar dhe kjo ka nxitur reagimin e banorëve të fshatit. Në Komunën e Ferizaj thonë se zvarritja po bëhet për shkak të telasheve buxhetore në nivelin qendror, ndërkohë në Ministrinë e Arsimit insistojnë se po punohet, po jo me ritëm të lartë, për shkak të “mungesës së materialit ndërtimor në treg”
Prej disa vjetësh po zvarriten punimet në objektin e ri të shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Dy Dëshmorët” në fshatin Talinoc të Muhaxherëve, në Komunën e Ferizajt.
Të gjitha afatet për kryerjen e punimeve kanë përfunduar dhe kjo ka nxitur reagimin e banorëve të fshatit.
Në këtë projekt, Ministria e Arsimit pati investuar mbi një milion euro, por, sipas zyrtarëve komunalë, ka pasur telashe me pagesa gjatë kohës së pandemisë.
Refik Azizi, banor i këtij fshati, ka thënë se në objektin e vjetër mësojnë rreth 450 nxënës me tri ndërresa, derisa ai nuk i plotëson kushtet për procesin mësimor.
“Ka një vit që po bëhet zvarritja për përfundimin e objektit të ri të shkollës, për shkak të mjeteve nga ana e Qeverisë, andaj ne kërkojmë që sa më shpejt të funksionalizohet shkolla e re, për shkak të kushteve të mjerueshme që mësojnë nxënësit e shkollës së Talinocit të Muhaxherëve”, ka thënë Azizi.
Edhe përfaqësuesi i këtij fshati, Njazi Behluli, ka sqaruar se disa herë ka bërë kërkesa drejt Komunës e në Ministri të Arsimit, por deri më tash nuk janë shqyrtuar ato, sipas tij.
“Për fshatin është shumë e nevojshme, sepse kjo është një shkollë e vjetër e bashkuar prej objektit tjetër dhe kemi nxënës goxha shumë, andaj i kisha lutur institucionet shtetërore, sidomos Qeverinë, pasi që mbikëqyret nga ajo, ta finalizojë sa më shpejt, sepse punëtorët po ankohen këtu”, u shpreh Behluli.
Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Komunën e Ferizajt, ka thënë se projekti është zvarritur shkaku i telasheve buxhetore në nivelin qendror gjatë kohës së pandemisë.
“Afati kohor për përurimin e këtij objekti tashmë ka kaluar, andaj si projekt mund të themi se është zvarritur. Por me rëndësi është se cilësia e punimeve të deritanishme është mjaft e mirë, andaj kërkojmë nga niveli qendror që sa më shpejt të përfundojnë punimet, sepse në atë shkollë mësojnë rreth 500 nxënës me tri ndërresa”, tha ai.
Iliriana Pylla, zëdhënëse e Ministrisë së Arsimit, ka sqaruar se Ministria është në kontakt me punëkryesin.
Ka thënë se kompania kohëve të fundit është përballur me mungesë të materialit ndërtimor.
“Objekti i shkollës në fshatin Talinoc të Komunës së Ferizajt po ndërtohet me mjete të MASHTI-t. Ky projekt ka kushtuar 1 milion e 241 mijë e 424 euro. Punimet janë duke vazhduar, ndonëse jo me intensitet për shkak të, sipas punëkryesit, mungesës së materialit ndërtimor në treg. Përndryshe punimet nuk po zvarriten dhe janë duke u zhvilluar”, theksoi Pylla.
Kësaj shkolle për çdo vit i shtohen nga 80 nxënës të rinj nga fshatrat e tjera përreth, për shkak të afërsisë me qytetin.