Arbëri

Prej disa vjetësh shkolla e Komogllavës qëndron e mbyllur, shkaku mungesa e inventarit

Objekti i shkollës fillore dhe të mesme e ulet “Besim Rexhepi” në fshatin Komogllavë të Ferizajt, prej disa vitesh po vazhdon të qëndron i mbyllur si pasojë e mungesës së inventarit. Ndërkohë rreth 500 nxënës që mësojnë në objektin e vjetër, po përballen me kushte të rënda teknike. Në Komunën e Ferizajt kanë thënë se vite më parë niveli qendror ka decentralizuar çështjen e investimeve për inventar në objekte shkollore, andaj si Komunë nuk po gjejnë mënyra se si të investojnë.

Sidoqoftë, nëpërmjet një komunikate, Këshilli i fshatit kanë shprehur shqetësime se nxënësit edhe këtë vit e nisën mësimin në kushte jo të mira megjithëse ekziston objekti i ri.

“Kemi hyrë në vitin e pestë dhe ende po qëndron e mbyllur shkolla, mungesa e inventarit është shkaktari i mos funksionalizimit të objektit shkollor në Fshati Komogllavë”, thuhet midis të tjerash në komunikatë duke kërkuar mbështetje nga institucionet lokale e qendrore për ta funksionalizuar objektin.

Skender Mehmeti, kryetar i fshatit Komogllavë, ka thënë për KOHËN se institucionet janë në dijeni se objekti ende nuk ka nisur punën.

“Objekti është ndërtuar i ri por ende nuk kanë investuar në inventar, po ashtu aty mungon edhe drejtori i shkollës sepse ende nuk është bërë përzgjedhja aty. Nxënësit mësojnë në objektin e vjetër, ndoshta në kushte jo aq të mira. Por objekti i ri pati filluar nga një qeveri tjetër para pesë vitesh dhe tani ka pengesa të cilat nuk i dimë ne”, ka thënë shkurt Mehmeti.

Në anën tjetër Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Komunën e Ferizajt, ka thënë se është në dijeni rreth kësaj çështjeje por telashet janë në nivelin qendror derisa nuk po i shqyrtojnë kërkesat e komunës.

“Kemi bërë disa herë kërkesë në ministrinë e Arsimit për ta pajisur këtë objekt me inventar sepse punimet teknike kanë përfunduar këtë vit, por ne si komunë nuk kemi ndonjë kod buxhetor që na lejojnë të bëjmë investime të tilla. Siç jam i informuar aty ka pasur probleme me disa ankesa ndërmjet operatorëve për furnizim të inventarit, andaj procesi është zvarritur. Ndërkaq edhe për neve është shqetësuese se nxënësit po mësojnë në një objekt të vjetër që nuk i plotëson kushtet”, ka thënë Llabjani.

KOHA ka provuar të marrë edhe një deklaratë nga zyrtarët për informim në Ministrinë e Arsimit mirëpo s’kanë qenë të qasshëm.