Komuna e Shtimes prej disa vjetësh ka në pronësi rreth dhjetë banesa, të cilat janë ndërtuar me koncesion dhe për të cilat këshilltarët e Kuvendit Komunal ende nuk kanë vendosur se kujt do t’i jepen në shfrytëzim. Në anën tjetër, dhjetëra familje skamnore në këtë komunë po përballen me kushte të rënda të banimit
Me kushte të rënda ekonomike po përballet familja 5-anëtarëshe Hyseni, nga fshati Carralevë i Komunës së Shtimes.
Përveç sëmundjeve të familjarëve, kjo familje nuk ka shtëpi e as pronë, duke u strehuar tash e sa vjet në një shtëpi te fqinjët.
Ndërkohë, Komuna e Shtimes prej disa vjetësh ka në pronësi rreth dhjetë banesa sociale të ndërtuara me koncesion, për të cilat ende këshilltarët e Kuvendit Komunal nuk kanë vendosur se nga kush duhet të shfrytëzohen.
Familja Hyseni ankohet se shtëpia nuk i plotëson as kushtet elementare, pasi që nuk e ka brenda as rrjetin e ujësjellësit. Madje, ata duhet ta lirojnë këtë shtëpi brenda një kohe të shkurtër.
“Kërkoj prej Kuvendit Komunal ose prej shoqatave një shtëpi nëse ka mundësi dhe nëse ka bamirës me ma ba një hall, sepse shtëpia është e huaja", thotë kryefamiljari Hasan Hyseni.
Rreth çështjes së banesave ka pasur debate edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal.
“Pyetja e dytë është për tetë banesat që gjenden në ndërtesën e Fitores, a e ka në plan kryetari apo Komuna me i shitë këto banesa apo me i nda për familjet me nevojë, faleminderit”, pati shtruar këtë çështje Muhamet Ademaj, këshilltar nga AKR-ja.
E kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, ka kërkuar nga kuvendarët që të vendosin se kujt do t’i jepen në shfrytëzim këto banesa, pasi që ato janë të gatshme për banim. Sidoqoftë, ai është zotuar se shumë shpejt do të vendoset rreth kësaj çështjeje.
“Do të jetë vendim i Kuvendit, i cili do t’i japë kahe shfrytëzimit të tyre, pra ka pasur disa alternativa që i kemi menduar që mund t’i strehojmë familjet të cilat janë në nevojë, ka pasur alternativa që t’iu ndahen familjeve të cilat kanë invalidë”, ka thënë kryetari Naim Ismajli.
Sipas Ismajlit, ka pasur edhe diskutime nga kuvendarët që këto banesa, për shkak të numrit jo të madh, nuk mund t’u bëjnë zgjidhje të gjitha rasteve sociale, ndërkohë që Komuna është duke ua paguar qiranë e banimit dhjetëra familjeve skamnore.