Arbëri

Prej disa vitesh zvarritet projekti i kolektorit për trajtimin e ujërave të zeza në Shtime

Banorët e Komunës së Shtimes po vazhdojnë të përballen me telashe nga ujërat e zeza derisa ato po derdhen në lumin Shtimjanja. Ndërkohë, projekti për ndërtimin e një kolektori në vlerë prej 5.3 milionë eurosh i financuar nga Qeveria e Kosovës përmes një kredie të butë nga Austria, prej disa vitesh po zvarritet. Për këtë projekt, më 2016-n, është nënshkruar edhe marrëveshja, ndërkohë kontingjenti me tubacion ka arritur në Shtime në fund të vitit 2019, por deri më tash ende nuk ka lëvizur asgjë konkrete për vazhdimin e projektit.

Sipas zyrtarëve komunalë në Shtime, projekti parasheh trajtimin e ujërave të zeza me gjatësi prej 22 kilometrash për disa fshatra përgjatë shtratit të lumit. Ndërkohë, deri më tashti janë kryer disa punë të rëndësishme të këtij projekti pasi që është bërë furnizimi me tubacion dhe traseja e projektit në drejtim të disa fshatrave, mirëpo punimet nuk kanë vazhduar më. Kjo çështje ka nxitur reagime nga qytetarët dhe të Komunës me arsyetim se pjesa më e madhe e banorëve nëpër fshatra po i derdhin ujërat e zeza në lumin Shtimjanja.

Sherif Selmanaj, banor i Shtimes, ka thënë se ujërat e zeza po derdhen në lumin Shtimjanja afër shtëpisë së tij, ndërkohë nga kundërmimi i madh po vështirësohet jetesa e tyre. Ai bën me dije se disa herë janë interesuar rreth zvarritjes së projektit të kolektorit, mirëpo nuk kanë marrë përgjigje nga institucionet lokale e qendrore.

“Shqetësimet tona janë për shkak të ujërave të zeza dhe të lumit. Sipas informacioneve, puna e kolektorit nuk është çështje e Shtimes ose e Komunës sonë, por është çështje e nivelit qendror. Këtu projekti nuk është zbatuar, por më të vërtetë ne si qytetarë të thjeshtë nuk e dimë pse është ndërprerë. Ky projekt ka ardhur deri këtu afër shtëpive në lagjen tonë dhe mandej nuk ka vazhduar asnjëherë”, ka thënë Selmanaj.

Sipas tij, disa fshatra i derdhin ujërat e zeza në lumin Shtimjanja. “Në lumin Shtimjanja bashkëngjiten edhe ujërat e lumit të Llanishtit, Carralevës dhe Mollopolcit, andaj lumi është ndotur mjaft shumë. Kërkojmë nga organet kompetente që të vazhdojë projekti i kolektorit dhe të trajtohen ujërat e zeza në të gjithë territorin e Komunës”, ka thënë Selmanaj.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, ka thënë se deri më tash është bërë furnizimi me tubacion dhe traseja e projektit në drejtim të disa fshatrave, mirëpo punimet kanë stagnuar. Sipas Ismajlit, Komuna vazhdimisht është duke kërkuar nga niveli qendror që të vazhdojë projekti pasi që sezoni i pranverës dhe i verës është më e përshtatshme për punime.

“Siç jemi të informuar nga operatorët dhe nga mbikëqyrësit si përfaqësues të austriakëve, ka një vonesë të pagesave që duhet ta bëjë Qeveria për të gjithë ato obligime të cilat dalin gjatë punëve në terren. Besoj se janë kah përfundimi i zgjidhjes së kësaj problematike, neve na figurojnë mjetet financiare që janë në buxhet nga viti i kaluar si shuma që janë të ndara, mirëpo alokimi i tyre në këtë rast dhe bërja e pagesës në drejtim të operatorëve është e stagnuar. Ne kemi kërkuar prej Ministrisë së Financave, por edhe prej kontraktuesve që ta zgjidhin këtë problem që tash pas pranverës të rifillojnë punimet, sepse është koha më e përshtatshme për punime”, ka thënë Ismajli.

Sipas tij, do të shtyhet finalizimi i këtij projekti, mirëpo Qeveria e Kosovës nëpërmjet marrëveshjes së nënshkruar ka marrë për obligim shlyerjen e borxheve ndaj Bankës së Austrisë. “Qytetarët e Shtimes janë përfitues të këtij projekti, ndërkaq Komuna e Shtimes nga buxheti i vet nuk e ka asnjë obligim ndaj askujt. Projekti në fazën e parë do t’i mbledhë ujërat e zaza, duke filluar nga fshati Carralevë dhe nga pjesa tjetër nga fshati Petrovë, dhe faza e dytë përfundon në fund të fshatit Voinovc, aty ky pretendohet të ketë një impiant tjetër të veçantë me Komunën e Ferizajt dhe të Lipjanit”, ka thënë Ismajli.

Ministria e Financave, gjatë së hënës, nuk u është përgjigjur pyetjeve të kohës lidhur shqetësimet e banorëve dhe të Komunës së Shtimes.