Arbëri

Prej disa muajsh dy laboratorë në Shtime jashtë funksionit

Laborator - Shtime

Prej disa muajsh banorët e fshatit Pjetërshticë, Muzeqinë dhe disa lokalitete të tjera po përballen me mungesë të shërbimeve nëpër Qendra të Mjekësisë Familjare. Në Ambulanten e fshatit Pjetërshticë që nga viti i kaluar është blerë aparatura për kryerjen e analizave, por deri më tash nuk ka hyrë në funksion si pasojë e mungesës së stafit profesional.

Ndërkohë sipas banorëve në fshatin Muzeqinë, ata po përballen me mungesë të shërbimit të analizave derisa mostrat për çdo ditë barten në QKMF të Shtimes. Rreth kësaj çështje kanë reaguar banorët dhe vetë opozita në Shtime. Shaban Sejdiu, banor nga fshati Muzeqin, ka kërkuar shërbime cilësore në Ambulanten e fshatit.

“Katër ditë më parë jam kontrolluar te mjeku, por analizat jam obliguar t’i kryej në Shtime sepse më treguan stafi se aty nuk bëhen. Prandaj kërkojmë nga komuna që të bëjë investime në shëndetësi, sepse qytetarët kërkojmë shërbime cilësore”, ka kërkuar Sejdiu.

Lumni Amrushi, banor nga fshati Pjetërshticë, njëherësh kuvendar nga radhët e PDK-së në Shtime, ka thënë se ish-qeverisja lokale e ka furnizuar Ambulanten e fshatit me pajisje të laboratorit, por deri më tash nuk është futur në funksion.

“Kam parashtruar pyetje dhe kërkesë ndaj Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenies Sociale (DShMS) duke pyetur pse nuk po funksionon laboratori në ambulancën e Pjetershticës, sepse ai laborator është duke qëndruar nëpër depo. Kjo është shumë shqetësuese për të gjithë qytetarët e fshatit Pjetërshticë, prandaj do ta ngremë këtë çështje edhe një herë në mbledhjen e radhës së Kuvendit Komunal”, ka kritikuar Amrushi.

Po ashtu të mërkurën nëpërmjet një reagimi edhe PDK-ja në Shtime ka kritikuar ekzekutivin për keqmenaxhim të parasë publike. Sipas opozitës mostrat e analizave po barten nga fshati Muzeqinë deri në Shtime shkaku i mosfunksionimit të laboratorit.

“Ka shtatë muaj që pajisjet për laboratorin e Qendrës së Mjekësisë Familjare (QMF) në Pjetërshticë po qëndrojnë ne depot e Qendrës Kryesore Familjare në Shtime (QKMF) dhe nuk po funksionalizohen në shërbim të qytetarëve. Ky projekt nuk po funksionalizohet qëllimisht pasi që është duke u kalkuluar politikisht për shkak se banorët e Pjetërshticës ishin mbështetës dhe përkrahës të ish kryetarit Ismajli, ndërsa tani kryetari aktual është duke i zhvilluar projektet kryesisht tek votuesit e LVV-së. Ndërkaq, sa i përkeq Muzeqinës shpeshherë mostrat e analizave po i bartin deri në QKMF në Shtime”, thuhet në reagimin e opozitës.

Në anën tjetër Isa Haxhiu, drejtor për Shëndetësi në Komunën e Shtimes, ka thënë se laboratori në QMF në Pjetërshticë është blerë nga ish qeverisja e kaluar në vitin e kaluar por nuk është funksionalizuar ende për shkak se nuk ishte planifikuar buxheti për punësimin e një laboranti.

“Ndërkaq, ne tashmë kemi siguruar reagencat për punën e këtij laboranti dhe jemi në pritje të sigurimit të nga “Caritas-i” si ofrues i shërbimeve shëndetësore, i kontraktuar nga qeverisja e kaluar për Komunën e Shtimes, të na e siguroi një laborant për punë në këtë laborator”, ka thënë Haxhiu.

Ndërkaq, pretendimet e opozitës për mosfunksionim e laboratorit në fshatin Muzeqinë Haxhiu i ka hedhur poshtë si të pa bazuara.

“Në lidhje me pyetjen e juaj për bartjen e mostrave nga laboratori i Muzeqinës në QKMF, kjo nuk qëndron sepse analizat kryhen rregullisht në këtë QMF por mund të ketë ndodhur të jenë bartur mostrat në QKMF të Shtimes nëse laboranti ka qenë në pushim mjekësor apo pushim vjetor, meqë ka vetëm një laborant dhe është e drejtë e patjetërsueshme shfrytëzimi i këtyre pushimeve dhe mungesave të arsyeshme”, tha Haxhiu.