Banorët e fshatit Kraishtë të komunës së Lipjanit po ankohen se prej disa ditësh po përballen me mungesë të mjekut në Qendrën e Mjekësisë Familjare.
Sipas banorëve komuna duhet të angazhohet me urgjencë për ta sjellë një mjek familjar, ndërkaq në anën tjetër zyrtarët komunal janë zotuar se kjo çështje do të rregullohet në fillim të javës së ardhshme.
Avni Bajrami, banor i fshatit Kraishtë, ka thënë për KOHËN se banorët po obligohen të udhëtojnë disa kilometra për të marrë shërbime në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Lipjan.
“Është shqetësuese për banorët e fshatit Kraishtë mungesa e mjekut të përgjithshëm në Ambulantë. Fshati ka rreth 1,500 banorë, andaj në këtë kohë pandemie është shumë rrezik i madh lëvizja e banorëve me nevojë e sidomos të moshuarit. Kjo po e mbingarkon edhe QKMF-në në Lipjan. Andaj, urgjentisht institucionet përkatëse duhet të bëjnë një zgjidhje”, është ankuar Bajrami.
Në anën tjetër Merita Bytyqi, drejtoreshë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në komunën e Lipjanit është zotuar se shumë shpejt do ta dërgojnë një mjek familjar në këtë ambulancë.
“Mjeku mungon sepse prej 1 janarit ka marrë pushim pa pagesë. Janë vetëm dy ditë në mungesë të mjekut. Ndërkohë kemi nënshkruar kontratat për mjekët e rinj dhe sigurisht nëse jo nesër, prej të hënës do të jepen shërbimet edhe nga mjeku”, ka thënë shkurt Bytyqi përmes një përgjigje me shkrim.