Banorët e fshatit Bujan të Komunës së Lipjanit prej afro dhjetë ditësh po përballen me telashe të energjisë elektrike si pasojë e disa defekteve që kanë ndodhur në trafon e qytetit.
Banorët janë ankuar në zyrat e KEDS-it në Lipjan por edhe në Policinë e Kosovës, por deri më tash nuk kanë marrë ndonjë përgjigje për rregullimin e rrjetit.
Afrim Buja, banor i këtij fshati, ka thënë se njëra prej linjave të energjisë prej dhjetë ditësh është ndërprerë dhe askush nuk po merret me rastin e tyre.
“Jemi ankuar tek të gjitha organet kompetente, madje e kemi njoftuar edhe Policinë. Punëtorët e KEDS-it kanë qenë në fshat, e kanë kontrolluar trafon, mirëpo nuk kanë mundur ta gjejnë defektin. Andaj prej më shumë se një javë njëra linjë e energjisë elektrike nuk është duke funksionuar. Pastaj në disa lagje nuk ka fare energji, por me gjendje të rëndë janë edhe lagjja “Dragaqina”. Ne kërkojmë nga organet kompetente sa më shpejtë ta rregullojnë problemin sepse jemi taksapagues të rregullt të faturave të KEDS-it”, ka thënë Buja.
KOHA ka provuar të marrë edhe një deklaratë nga zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, por ai nuk ka qenë i qasshëm.