Arbëri

Prej 3 vjetësh Lipjani nuk e funksionalizon Qendrën Informuese Turistike

Prej tre vjetësh po zvarritet funksionimi i qendrës informuese turistike në Lipjan, ani pse aty më 2019-n ishin angazhuar disa punonjës nga Komuna.

Ky objekt ishte vendosur me qëllim që turistët ta kenë më të lehtë qasjen për vendet turistike në Komunën e Lipjanit.

Lumturije Hasani-Bytyçi, asambliste e PDK-së, ka thënë se kjo qendër duhet të hapet.

“Fatkeqësisht ky projekt asnjëherë nuk është realizuar dhe si rrjedhojë kjo zyrë është jashtë funksionit. Këtu shihet një keqmenaxhim me paranë publike sepse projektet e tilla gjysmake, që nuk finalizohen, tashmë janë bërë edhe traditë e kësaj qeverisjeje”, tha Hasani-Bytyçi.

Ajo ka kërkuar llogaridhënie nga Komuna për punëtorët të cilët ishin angazhuar për ta mbajtur të hapur këtë qendër.

“Ne si opozitë kemi informacione se disa zyrtarë janë punësuar për të qenë pjesë e zyrës, mirëpo se çfarë ka ndodhur me ta dhe ku janë sistemuar ne nuk e dimë. Faktikisht ata nuk e kryejnë punën e tyre sipas kontratës dhe punën për të cilën janë punësuar”, tha ajo.

E Alban Salihu, shef i Grupit të kuvendarëve nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se qendra është projekt i dështuar i Komunës.

“Në seancën e radhës do ta ngremë përsëri dhe do ta pyesim ekzekutivin se çfarë po ndodh me këtë projekt, pse ka dështuar dhe çfarë po ndodh me punëtorët që u patën angazhuar këtu, a janë duke u paguar”, theksoi ai.

Në Komunën e Lipjanit nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS rreth kësaj çështjeje.