Arbëri

Prej 2015-s zvarritet projekti për ndërtimin e Zonës Ekonomike në Ferizaj

Komuna e Ferizajt që nga viti 2015 po i zvarrit procedurat për nisjen e ndërtimit të Zonës Ekonomike, e paraparë të bëhet në fshatin Babush.

Rreth 12 hektarë tokë asokohe ishin shpallur zonë me interes të veçantë për zhvillim të bizneseve.

Përfaqësuesit e bizneseve kanë shprehur shqetësime se ende nuk e kanë një zonë ekonomike për zhvillim të bizneseve

“Ferizaj tani më është një metropol i ekonomisë dhe çdo biznes në Ferizaj siç kemi kontakte me biznese të shumta, kërkon që ta zgjerojë biznesin e tij dhe gjithmonë është e nevojshme bizneset të kenë sa më shumë parcela dhe të hapin pika, qoftë në prodhim apo tregti dhe çdo lëmi”, ka thënë Faton Haxhisalihu, përfaqësues i një biznesi.

Asamblisti Amir Rexhepi ka thënë se bizneset e Ferizajt janë duke u vendosur në Zonën Ekonomike të Shtimes, derisa Komuna e Ferizajt prej vitesh nuk ka arritur ta realizojë një projekt të tillë.

“Pse e kam bërë këtë kërkesë, sepse kemi shumë biznese serioze, të cilat kanë kërkuar tokë nga Komuna e Ferizajt që ta zgjerojnë biznesin e tyre, mirëpo ende nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim. Pra, kemi një neglizhencë të ekzekutivit në Ferizaj”, ka thënë Rexhepi.

Drejtori për Zhvillim Ekonomik, Zekir Bytyqi, ka thënë se ish-qeverisja e kaluar nuk e ka planifikuar këtë zonë ekonomike me Planin Zhvillimor Komunal, megjithëse disa procedura ishin iniciuar aso kohe.

“Ne, si Komunë, në konsultim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, kemi hasur në mirëkuptim që në kuadër të hartave zonale, kjo zonë të parashihet si Zonë Ekonomike dhe t’iu mundësohet të tejkalohet pengesa ligjore dhe të implementohet Zona Ekonomike në Ferizaj”, ka thënë ai.

KOHA ka provuar të marrë edhe një deklaratë nga ish-kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, por ai nuk ka qenë i qasshëm.