Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Fushë-Kosovë prej dhjetë ditësh përballet me probleme në sistemin e ngrohjes, shkaku i rrjedhjes së ujit në gypave që ndodhen nën dysheme. Pacientët thonë se janë përballur me temperatura të ulëta brenda objektit. E në drejtorinë e Shëndetësisë thanë se vendi i defektit është identifikuar dhe se pritet riparimi i shpejt
Janë bërë gati dhjetë ditë prejse Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Fushë-Kosovë përballet me probleme në sistemin e ngrohjes, shkaku i rrjedhjes së ujit nëpër gypa.
Për pasojë, hapësira të caktuara të objektit kanë mbetur pa ngrohje të plotë.
Pacientët, që folën nën kushtin e anonimitetit, u ankuan për temperatura të ulëta veçanërisht në dhomën ku i marrin infuzionet, e në të cilat shihen batanije dhe ngrohëse.
Kryeshefi i QKMF-së, Mustafë Gashi, tha se me gjithë defektin, objekti po ngrohet nëpërmjet një improvizimi që po bëhet me barazim të shtypjes së ujit.
“Në ditën e fundit kemi një stabilizim të dukshëm të temperaturave të ambientit të QKMF-së dhe besoj se kjo situatë do të rregullohet shpejtë, ka me qenë e qëndrueshme, jo veç një ditë. Tash është bërë studimi, është gjetur faktikisht, dyshohet në defektin dhe është bërë një plan i riorganizimit të sistemit të gypave për katin e parë dhe besojmë në një zgjidhje të përhershme që mos të pësojë as stafi e as pacientët për këtë shërbim”, ka thënë Gashi.
E Bajram Mustafa, menaxher për mbikëqyrjen e kontratës për mirëmbajtjen e sistemit të ngrohjes, tha se defekti ka ndodhur si pasojë e vjetërsisë së objektit.
“Qe nja 1 javë është paraqitur rrjedhja, që po na humb ujë, se ne jemi duke e vërejtur në termomanometër. Jam duke u munduar që t’i rrimë gati ashtu që objekti të mos mbetet pa ngrohje, edhe ashtu po ndodh. Vetëm kur kemi edhe ndërprerje të ujit komplet, përndryshe objekti është me ngrohje. Kjo ka ardhur prej vjetërsisë së objektit dhe gypat janë të vendosur nën dysheme të objektit, do të thotë janë nën tokë. Kanali është i mbyllur”, ka thënë Mustafa.
Drejtoresha e shëndetësisë në Fushë-Kosovë, Mimoza Kolshi, ka theksuar se si alternativë për zgjidhje të defektit është propozuar ndalja e tërësishme e ngrohjes.
“Fillimisht më kanë thënë se duhet eventualisht tre ditë që QKMF-ja të jetë pa ngrohje, derisa ta evitojjmë sistemin e ri të ngrohjes, gypat e rijnë. Për mua ka qenë pak e tepërt sepse aty kemi një numër të madh të pacientëve, për t’i lënë tre ditë pa ngrohje”, ka thënë Kolshi.
Kolshi më pas njoftoi se është identifikuar të mërkurën vendi ku ka ndodhur defekti dhe se riparimi pritet të bëhet së shpejti.