Posta e Kosovës ka kërkuar mbështetje financiare nga Ministria e Ekonomisë për realizimin e projektit për dërgimin e mesazheve ITMATT për dërgesa dhe pranim të mallit nga jashtë. Ky institucion brenda tre muajsh dërgoi dy kërkesa për blerjen e softuerit, e shuma e tyre dallon për 700 mijë euro
Dy kërkesa të ndryshme për mbështetje financiare për të njëjtin projekt i janë dërguar Ministrisë së Ekonomisë nga Posta e Kosovës brenda tre muajsh. Të parashtruara nga dy menaxhmente të ndryshme dallojnë për 700 mijë euro. Projekti ka të bëjë me bashkëpunim ndërkombëtar për dërgesa të mallrave.
Në shkresën e parë, ish-kryeshefi i Postës, Xhevdet Smakiqi, u është drejtuar ministres së Jashtme dhe asaj të Ekonomisë për t’i njoftuar me projektin dhe për të kërkuar 1 milion euro për blerjen e softverit që do t’ia mundësonte postës këmbimin elektronik të shënimeve për dërgesa, ITMATT.
Smakiqi në këtë shkresë thotë se ka disa muaj që shërbimet postare vendore dhe ndërkombëtare janë duke u ballafaquar me një kërkesë shumë serioze nga administrata postare ndërkombëtare.
“Posta e Kosovës tani e disa muaj është në komunikim intensiv me Postën Sllovene, me të cilën kishte marrëveshje për transitimin e dërgesave postare dhe jemi duke u munduar të gjejmë opsione sekondare edhe përmes softuerit të Doganave të Kosovës për t’u kyçur në sistem ndërkombëtar, i cili na mundëson gjenerimin dhe transmetimin e këtyre mesazheve elektronike ITMATT që janë të domosdoshme dhe parakusht tani e tutje për transitimin e dërgesave postare ndërkombëtare kudo në botë”, thuhet në email.
Sipas shkresës, Posta e Kosovës pasi që nuk është anëtare e Unionit Postar Ndërkombëtar nuk mund të lidhet në sistemin e tyre IPS dhe është e detyruar që të investojë në një softuer ndërkombëtar për mesazhet ITMATT.
Ky program i duhet Kosovës që të jetë e barabartë me autoritetet postare botërore në përpunimin e dërgesave postare ndërkombëtare sipas standardeve të Unionit Postar Ndërkombëtar.
Në shkresën e dytë që Ministria e Ekonomisë e pranoi para një jave, Bordi i Përkohshëm i drejtorëve të Postës për të njëjtin projekt i kërkoi 300 mijë euro.
“Nëse PK-ja nuk arrin që gjatë muajit shtator e tutje të bëjë të mundur dërgimin e këtyre mesazheve për AP botërore, atëherë nuk do të ketë të drejtë të dërgojë dërgesa postare me përmbajtje të mallrave për botën e jashtme, ju njoftojmë se humbjet nga Posta ndërkombëtare për mosrealizimin e mesazheve ITMATT, në shkuarje dhe ardhje mund të jenë diku rreth 25 mijë euro mujore”, thuhet në kërkesën e fundit të Bordit të PK-së.
Ish-kryeshefi i Postës, Xhevdet Smakiqi, arsyetoi dallimet në shifra duke thënë se kërkesën e ka bazuar në vlerësimet që i kanë bërë IT-të në këtë institucion.
“Sipas vlerësimeve preliminare që i ka bërë IT-ja në takimin që e kemi pasur, e kemi mbajtur edhe IT-në kopje dhe ata e kanë dhënë vlerësimin, sepse unë nuk e di se sa kushtojnë ato. Unë e kam parë që mund të jetë edhe më shumë, ka lloj-lloj që sipas ekspertëve, mund të jetë deri në 9 milionë euro. Kam dëgju që ata e kanë bërë 300 mijë euro. Ishalla e realizojnë. Unë e kam prezantuar atë që IT-ja mua më ka ofruar”, ka thënë ai.
Sipas tij, në shkresë ka dhënë tri zgjidhje që ia kanë dhënë ekspertët.
“Unë kam qenë mbajtës në informata se jam nisur në atë nëse kishim dështuar në shtator. Përndryshe, ishalla ata e bëjnë me 2 euro, por unë në e-mailat e mi i kam prezantuar vlerësimet preliminare të Ragip Zogjanit që ka qenë shef i IT-së”, ka thënë ai.
KOHA merr vesh që të hënën, Ministria e Ekonomisë ia ka konfirmuar postës mbështetjen projektit dhe i ka kërkuar nisjen e procedurave të prokurimit.
Ky program do të ndihmojë që dërgesat, sidomos ato të shitjeve online që dërgohen nëpërmjet Shqipërisë apo ndonjë shteti tjetër për në Kosovë, të dërgohen direkt në Postën e Kosovës dhe të ketë rritje të të hyrave nga detyrimet terminale.