Arbëri

Popoviqi pranon fajësinë

Igor Popoviq

Ndihmësdrejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, ka pranuar fajësinë për veprën penale “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.

Sipas njoftimit nga Prokuroria Speciale, Popoviq akuzohet se me dashje dhe me qëllim ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike.

Prokuroria gjithashtu ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj tij. 

Sipas aktakuzës, Popoviq ka mbajtur një fjalim publik, me të cilin i është drejtuar një mase të gjerë qytetarësh, ku ndër të tjera ka përdorur gjuhë me përmbajtje nxitëse dhe urrejtëse, duke thënë: “...Serbët kanë pësuar këtu në rajonin e Rahovecit, Metohisë, Kosovës e Metohisë, për shkak se janë vendas dhe i kanë rrënjët këtu dhe nuk lejojnë që dikush t’i shpallë okupatorë, ardhacakë dhe t’i përzë nga këtu, nga UÇK – organizatë terroriste”, dhe më pas ka vazhduar të bëjë thirrje drejtuar qytetarëve, duke deklaruar: “Neve na mbetet të jemi krenarë për trimërinë e viktimave dhe vëllezërve të mbetur këtu dhe të mëtojmë që Hoça e Madhe dhe Rahoveci të mbeten serbe...” .

Popoviq akuzohet se ka nxitur dhe thelluar mosbesimin dhe mosdurimin ndaj diversitetit etnik në Kosovë, si dhe ka cenuar bashkëjetesën ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

“I.P. ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë. Në bazë të kësaj, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, krahas aktakuzës, ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë edhe marrëveshjen për pranimin e fajësisë”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë Mirlinda Gashi, zëdhënëse në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka konfirmuar se e ka pranuar aktakuzën me marrëveshje për pranim të fajësisë dhe se seanca e shqyrtimit fillestar për rastin e Popoviqit është konfirmuar për 8 gusht, me fillim prej orës 10:00.

Popoviqi ishte arrestuar më 19 korrik në pikën kufitare me Serbinë, Bërnjak. 

Një ditë para arrestimit, më 18 korrik në fshatin Hoçë të Madhe të Rahovecit, gjatë një fjalimi me serbët lokalë, ai e ka quajtur UÇK-në organizatë terroriste, ndërkohë e ka akuzuar edhe bashkësinë ndërkombëtare për siç ka thënë, heshtje ndaj autorëve të krimeve ndaj serbëve.