Ndihmësdrejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, është dërguar në mbajtje për 48 orë pas arrestimit të premten nga Policia në pikën kufitare në Bërnjak pasi kishte mbajtur fjalim kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hoçë të Madhe të Rahovecit.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, atij i janë sekuestruar dy telefona. Ai po dyshohet për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.
Popoviq e kishte cilësuar UÇK-në si organizatë terroriste dhe krahasoi veprimet e saj me ato çka po ndodhin në Gazë, gjatë fjalimit të mbajtur në ceremoninë për përkujtimin e viktimave serbe në komunën e Rahovecit.
Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka thënë se ndaj Popoviqit do të merren masa sipas ligjeve në fuqi, derisa ka shtuar se nuk do të lejohet fyerja dhe njollosja e historisë së Kosovës.
Prokuroria Speciale ka thënë se do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
“PSRK është duke vlerësuar mundësinë që, brenda këtij afati ligjor, të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, me qëllim të krijimit të mundësisë për të zhvilluar hetimet pa pengesa procedurale, pasi i dyshuari është shtetas i huaj”, thuhet në përgjigjen e tyre.
E drejtori i ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Petar Petkoviq, u shpreh i indinjuar me arrestimin e Popoviqit, duke pretenduar se ndihmësi i tij e tha të vërtetën.