Kuvendi i Kosovës

Politike e të paefektshme vlerësohen komisionet hetimore

Vetëm në këtë legjislaturë të Kuvendit janë themeluar 6 komisione hetimore, tri më pak sesa që janë themeluar për 20 vjet të Legjislativit. Monitorues të punës së Kuvendit theksojnë se themelimi i të gjitha këtyre komisioneve hetimore nuk ka qenë i nevojshëm, por shtojnë se kjo po përdoret më shumë edhe si mjet politik nga opozita. Efekti i tyre gjatë kësaj legjislature konsiderohet se ka qenë i dobët

Dy javë më parë Kuvendi i Kosovës themeloi një komision hetimor parlamentar me të cilin do të hetohet procesi i subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore për vitin shkollor 2023/2024. Ky është komisioni i 6-të që u themelua brenda mandatit trevjeçar të kësaj legjislature e në procedurë të themelimit janë edhe dy komisione të tjera hetimore. Njëri për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore, e tjetri për zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit.

Që nga legjislatura e parë e deri në të shtatën për 20 vjet, sipas të dhënave të Kuvendit, janë themeluar krejt 9 komisione të tilla. Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi dhe monitorues i punës së Kuvendit thotë se gjatë kësaj legjislature nuk ka pasur nevojë që të gjitha çështjet e ngritura deri më tash të adresohen përmes komisioneve hetimore. Punën e tyre ai e vlerëson dobët.

“Gjatë kësaj legjislature kemi më shumë ngritje të komisioneve për hetime parlamentare sesa gjatë legjislaturave të kaluara, por efekti i këtyre komisioneve në legjislaturën e tetë është i dobët. Gjysma e komisioneve hetimore kanë pasur çështje, të cilat kanë qenë për trajtim në komisione hetimore. Ndërkohë, një pjesë e tyre kanë qenë antikushtetuese në mospërputhje me Kushtetutën. Ndërkohë një pjesë tjetër kanë mundur të adresoheshin përmes pyetjeve parlamentare, përmes interpelancës ose përmes debatit parlamentar”, ka thënë ai.

Tringa Dreshaj, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë se ngritjen e komisioneve hetimore kryesisht opozita e ka përdorur edhe si mjet politik për të krijuar në diskursin publik dyshime mbi çështjet e ngritura. 

“Ka pasur një tentativë për ta kthyer punën e komisionit në një diskurs politik dhe të përdoret më shumë për çështje politike, për të ngritur kauza politike më tepër sesa për të adresuar çështjet dhe për të hetuar gjithë procesin”, është shprehur ajo.

Jakaj ka shprehur kritika edhe për mënyrën e kryesimit të këtyre komisioneve.

“Është vërejtur paaftësia e kryesuesve të komisioneve për t’i ndjekur çështjet në mënyrë të duhur ashtu siç kërkohet me ligjin për hetim parlamentar, pra një kryesim i dobët i deputetëve, të cilët kanë marrë përgjegjësi sipas vendimit të seancës plenare për t’i kryesuar ato komisione parlamentare”, deklaroi ai.

Dreshaj e sheh problematike edhe shpenzimin e parasë publike për komisione të tilla që nuk arrijnë ta përfundojnë suksesshëm mandatin.

“Kjo është një barrë buxhetore për shtetin kur flasim sidomos për një komision i cili nuk arrin ta kryejë punën e vet”, ka shtuar ajo.

Nga gjithsej 15 komisionet hetimore sa i ka themeluar Kuvendi, vetëm një numër i vogël i tyre ka arritur të nxjerrin raporte përfundimtare.

Në Kuvend kanë thënë se nuk kanë informacione se sa nga këto raporte u janë dorëzuar organeve të drejtësisë. 

“Me Ligjin nr. 03/L-176  për hetim parlamentar nuk parashikohet dërgimi i Raportit në Prokurori. Andaj nuk kemi informacione se sa raporte janë dërguar në Prokurori”, është thënë në përgjigjen e Kuvendit.
Lidhur me këtë nga Prokuroria nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndër vite Kuvendi ka themeluar Komisionin Hetimore lidhur me Raportin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për gjetjet faktike në Kuvendin e Kosovës më 2006, atë për faturimin e shpenzimit të rrymës elektrike për muajin janar 2013, kohën e llogaritjes sipas tarifës së lirë, njehsorët digjitalë dhe masat e ndërmarra në lidhje me këtë rast, më 2013. Më 2018 ishin formuar tri Komisione, njëri për shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë së Kosovës, tjetri për emërimet e shërbyesve të lartë civil në Administratën Shtetërore dhe ai për ndriçimin e rastit të dëbimit të 6 shtetasve turq më 29 mars 2018. Më 2019 ishte ngritur trupa parlamentare hetuese për gjendjen në PTK dhe Vala. E më 2020 edhe tri të tjera, i pari në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i dyti lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë dhe i treti mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës.

E gjatë legjislaturës aktuale u themelua: Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës; Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike; Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës; Komisioni Hetimor Parlamentar, në lidhje me çështjen: Hetim parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, dhe Hetim parlamentar lidhur me keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore, nëpërmjet kualifikimit të procedurës, si sekret shtetëror për furnizime të tilla; Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës; Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024.