Arbëri

Policia në Lipjan me fushatë për rritjen e sigurisë së qytetarëve

Ky aktivitet është përcjellë me shpërndarje të fletushkave dhe disa simboleve të tjera, me qëllim që qytetarët të kenë kujdes gjatë ahengjeve të ndryshme dhe të krijojnë siguri për veten dhe të tjerët. Fushata ka për qëllim që qytetarët dhe bashkatdhetarët mos të festojnë me armë nëpër ahengje të ndryshme familjare, të kenë kujdes gjatë ngasjes së veturave, mos të përdorin telefonat celularë, t’i mbyllin shtëpitë sa herë që dalin në qytet, të kujdesen për mospërhapje të zjarreve nëpër pyje e fusha, dhe disa këshilla të tjera

Policia në Lipjan, të martën, ka nisur një fushatë vetëdijësuese për parandalimin e dukurive negative.

Ky aktivitet është përcjellë me shpërndarje të fletushkave dhe disa simboleve të tjera, me qëllim që qytetarët të kenë kujdes gjatë ahengjeve të ndryshme dhe të krijojnë siguri për veten dhe të tjerët. Fushata ka për qëllim që qytetarët dhe bashkatdhetarët mos të festojnë me armë nëpër ahengje të ndryshme familjare, të kenë kujdes gjatë ngasjes së veturave, mos të përdorin telefonat celularë, t’i mbyllin shtëpitë sa herë që dalin në qytet, të kujdesen për mospërhapje të zjarreve nëpër pyje e fusha, dhe disa këshilla të tjera.

Zymer Kodra, rreshter në Stacionin e Policisë në Lipjan, ka thënë për KOHEN se për çdo vjet, Policia në Lipjan realizon fushata të tilla pas ardhjes së mërgimtarëve.

“Stacioni policor i Lipjanit ka angazhuar disa njësi, si atë të biciklistëve, të komunitetit, për t’i shpërndarë disa fletushka dhe për t’ua sjellë mesazhin qytetarëve të Komunës së Lipjanit. Mesazhi konkretisht është që të kenë kujdes gjatë ahengjeve të ndryshme, të mos përdorin apo gjuajnë me armë, mesazhi tjetër është që gjatë kohës së mërgimtarëve, automjetet e tyre derisa i parkojnë në vende të ndryshme të kenë kujdes për grabitje, thyerje apo vjedhje të automjeteve që po bëhen”, ka thënë Kodra.

Aktivitetet policore të lidhura me fushatën vetëdijësuese janë mirëpritur nga mërgimtarët.

Remzi Sllamniku mërgimtar nga Gjermania, ka thënë se këto fushata parandalojnë dukuritë negative, duke kërkuar që të vazhdohen edhe në të ardhmen.

“Këto gjëra janë të rëndësishme shumë, duhet t’i mbyllim shtëpitë mirë, t’i sigurojmë mirë, për shkak se po ka vjedhje. Policia janë të kujdesshëm, po dalin nëpër rrugë, shumë punë e mirë për shkak se kemi më shumë siguri”, ka thënë ai.

Edhe qytetari tjetër, Adem Sejdiu, i ka mirëpritur aktivitetet e tilla të Policisë. Ai njëkohësisht ka pasur një porosi për ata që tejkalojnë shpejtësinë gjatë ngasjes së makinës.

“Policia e Kosovës duhet të shqiptojë gjoba më të ashpra për vozitësit që tejkalojnë shpejtësinë, sepse dikujt po i kushton me jetë. Më mirë e paguan një gjobë të ashpër, se sa jeta e një qytetari”, ka thënë ai.

Policia e Kosovës në Lipjan ka njoftuar se do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim me aktivitete të tilla, për të vendosur posterë nëpër sheshe e rrugë kryesore, me qëllim të parandalimit të dukurive negative.