Arbëri

Policia në Ferizaj shqipton 344 gjoba dhe 106 vërejtje për mosrespektim të masave anti-COVID

Pas vendimit të ri të Qeverisë së Kosovës për respektim të masave anti-COVID, Policia e Kosovës në Ferizaj, ka vazhduar me aktivitete të ndryshme duke e monitoruar situatën në sheshe, dyqane dhe rrugë të kësaj komune me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve.

Këto aktivitete kanë rezultuar me shqiptim të 344 gjoba dhe janë dhënë 106 vërejtje policore ndaj qytetarëve për mos zbatim të masave anti-COVID.

“Prej datave 19-22 prill, në zbatim të vendimit të ri të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, gjatë këtyre ditëve ka vazhduar zbatimin e masave anti-COVID, gjithnjë në përputhje me Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19. Për këtë periudhë janë shqiptuar 344 gjoba, si dhe janë dhënë 106 vërejtje policore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës në Ferizaj.

Sipas tyre angazhimet policore janë duke vazhduar në bashkërendim dhe koordinim edhe me mekanizmat tjerë ndër-institucional, inspektorët, ku i gjithë ky angazhim ka reflektuar si masë parandalimi dhe ngritje e nivelit të respektimit të këtyre masave.

“Policia, me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve për respektimin e masave, ka shtuar kontrolle në qendrat tregtare, lokalet e gastronomisë, transportit publik të udhëtarëve, e po ashtu edhe kontrollin e respektimit të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve pas orës 22:30-05:00”, thuhet më tej në njoftim.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, falënderoi të gjithë qytetarët që në masë të madhe po i respektojnë këto masa, njëkohësisht apelon për respektimin e këtyre masave nga të gjithë, në të mirë të shëndetit publik.