Arbëri

Policia demanton raportimet se shqiptarët hapën zjarr ndaj ushtrisë serbe, arreston 4 serbë për kalim ilegal të kufirit

arrestim - pranga

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar 4 gjuetarë, shtetas të Serbisë, që thuhet se kishin kaluar ilegalisht kufirin Kosovë-Serbi, ndërkohë që i ka quajtur dezinformata lajmet e publikuara në mediat serbe se  një “grup i armatosur shqiptarësh ka qëlluar drejt pjesëtarëve të ushtrisë serbe pranë bazës së ashtuquajtur ‘Debela Glava’”. 

Të arrestuarit thuhet se janë dërguar në mbajtje. 

“Gjatë realizimit të detyrave të rregullta operacionale gjatë ditës së djeshme, vlen të ceket se njësite policore kanë arrestuar katër persona të dyshuar (gjuetarë) shtetas të Serbisë për kalim ilegal të vijës kufitare dhe armëmbajtje pa leje, te cilët kanë hyrë nga territori i Serbisë në Republikën e Kosovës. Armët dhe municioni i gjetur janë konfiskuar, ndërsa të dyshuarit, me vendim të organeve kompetente të drejtësisë, janë dërguar në mbajtje konform procedurave ligjore”, thuhet në njoftim.

Raportimet në mediat serbe policia i ka quajtur dezinformata.

“Policia e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se pretendimet e publikuara në disa media të Serbisë, sipas të cilave një “grup i armatosur shqiptarësh ka qëlluar ( ka hapur zjarr) drejt pjesëtarëve të ushtrisë serbe pranë bazës së ashtuquajtur ‘Debela Glava’”, janë dezinformata, të pabazuara dhe nuk korrespondojnë me asnjë informacion zyrtar apo ngjarje të verifikuar nga autoritetet në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Policisë. 

Në bazë të të gjitha të dhënave operative, raportimeve nga njësite policore në terren dhe koordinimit me institucionet tjera kompetente, thuhet se nuk është regjistruar asnjë incident i karakterit të pretenduar. 

Publikimi i informacioneve të tilla të pasakta, thuhet se kontribuon në krijimin e perceptimeve të rreme dhe rritjen e tensioneve të panevojshme në zonat kufitare.

Policia e Kosovës thuhet se i siguron qytetarët se situata në zonën kufitare ka qenë dhe vazhdon të mbetet e qetë dhe plotësisht nën kontroll të autoriteteve.