Policë të veshur me rrobe civile kanë gjobitur të premten dhjetëra shoferë në Ferizaj, në kuadër të planit operativ të Policisë Rajonale në këtë komunë. Janë gjobitur ngasësit, që përdornin telefonin dhe nuk e kishin vendosur rripin e sigurisë.
Dhjetëra gjoba janë shqiptuar të premten ndaj shoferëve në Ferizaj.
Gjobitja e tyre është bërë në kuadër të planit operativ të Policisë ferizajase, nga policë të veshur si civilë, të cilët identifikuan ngasës automjeti që përdornin telefonin apo nuk e kishin vënë rripin e sigurisë.
“Arsyeja e ndaljes është se një patrullë e policisë me rroba civile ju ka vërejtur duke e përdorur telefonin gjatë ngasjes për këtë ju shqiptohet një kundërvajtje në vlerë prej 40 eurosh”, dëgjohet teksa i thotë polici shoferit që u gjobit.
Drejtori i Policisë Rajonale në Ferizaj, Basri Shabani, ka thënë se me këtë plan operativ do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim.
“Në këtë rast, trafiku rajonal me rroba civile ka angazhuar disa zyrtarë policorë me disa automjete, të cilat po i identifikojnë kundërvajtësit në komunikacionin rrugor e të cilët në shumicën e rasteve janë kontribuues në rritjen e rasteve të aksidenteve të trafikut e sidomos të atyre me fatalitet”, ka deklaruar ai.
Këtë aktivitet të Policisë së Kosovës e kanë mirëpritur edhe ngasësit e automjeteve.
“Aktiviteti i Policisë është mjaft i qëlluar, kjo ka të bëjë me parandalimin e aksidenteve që në Kosovë mjerisht ka çdo ditë aksidente të tilla”, ka thënë Ahmet Kurti.
“Shumë ka që nuk i përcjellin rregullat, duhet t’i përcjellin rregullat. Unë jetoj jashtë, dje jam ardhur, nuk jetoj këtu, po i përcjellim se jemi të këtij vendi edhe me të vërtet nuk përcillen rregullat”, ka deklaruar Zajim Krasniqi.
Gjatë këtij muaji, Policia Rajonale e Ferizajt ka shqiptuar gjithsej 2 mijë e 666 gjoba në trafik, për kundërvajtje të ndryshme.