Në qytetin e Lipjanit gjatë kësaj periudhe të vitit janë rritur rastet e përdorimit të narkotikëve deri në 82 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ndërkohë drejtuesit e Stacionit të Policisë në këtë komunë kanë marrë hapa konkretë me qëllim që kjo dukuri negative të mos përhapet edhe në institucionet shkollore.
Stacioni i Policisë në Lipjan me fillim të vitit shkollor ka nisur një plan të veçantë operativ me qëllim të parandalimit të dukurive negative nëpër objekte shkollore.
Policia thekson se në këtë komunë rastet e përdorimit të narkotikëve janë rritur dukshëm.
Drejtuesit e këtij stacioni tashmë kanë angazhuar disa policë me rroba civile, të cilët për çdo ditë po i vëzhgojnë nxënësit dhe objektet shkollore.
Naser Sinani, komandant i Stacionit të Policisë në Lipjan, ka thënë se brenda objekteve shkollore është parandaluar përdorimi i drogave shkaku i prezencës së policisë.
“Në aspektin e përgjithshëm në nivel të stacionit ka ngritje të narkotikëve, në vitin e kaluar kanë qenë 17 raste, kurse këtë vit 31 raste apo 82 për qind ka rritje. Nëpër shkolla Policia e Kosovës në Lipjan mban ligjërata sa herë që kërkohet nga organet e drejtorisë dhe organet tjera. Në vitin e kaluar kemi pasur një varg ligjëratash të cilat janë fokusuar kryesisht te narkotikët, bullizmi dhe rastet tjera negative që kanë të bëjnë me nxënësit”, ka thënë komandanti i Policisë në Lipjan, Naser Sinani.
Sinani ka sqaruar se ka raste edhe të dhunës dhe ngacmimeve ndërmjet nxënësve nëpër objekte shkollore, mirëpo vetë prezenca e policëve me rroba civile ka ndikuar në parandalimin e tyre.
“Të gjitha këto raste që trajtohen duhet të procedohen në prokurori dhe pastaj ata i marrin veprimet e veta dhe i dërgojnë në gjykatë. Të gjitha rastet marrin epilog, andaj rastet janë të natyrës serioze që ne i trajtojmë me seriozitetin më të madh nga zyrtarët policorë dhe njësia e hetimeve deri në përfundimin e këtyre rasteve”, ka thënë ai.
Drejtori i shkollës së mesme “Adem Gllavica” në Lipjan, Skënder Rudari, ka thënë se plani operativ i Policisë së Kosovës ka ndikuar në parandalimin e dukurive negative.
“Gjendja e sigurisë në shkollën tonë mendoj se është në nivelin e duhur falë një bashkëpunimi të mirë që kemi me Policinë e Kosovës, stacioni në Lipjan. Kjo është në bazë të një marrëveshjeje ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme. Janë caktuar dy zyrtarë pa uniforma dhe ata kohë pas kohe vijnë për ta vizituar shkollën tonë. Sa herë që kemi nevojë ata na përgjigjen në mënyrë pozitive, kështu që krahasuar me vitet e kaluara është në rënie numri i rasteve të dhunës dhe sjelljeve negative në shkollën tonë”, ka thënë drejtori i shkollës “Adem Gllavica”.
Sipas komandantit Sinani, policia është vazhdimisht e angazhuar për sigurinë e nxënësve edhe kur ata lëvizin nëpër qytet.