Kuvendarët e Podujevës i kanë miratuar tri propozimvendime, me anë të së cilave, i kanë ndarë 125 mijë euro për ndihmë qytetarëve në nevojë, lirimin nga taksat komunale të gjitha bizneset për vitin 2020 dhe po ashtu lirimin nga qiraja për ato biznese që e ushtrojnë veprimtarinë në prona komunale.
Këto vendime janë marrë në mbledhjen e jashtëzakonshme që është mbajtur sot në sallën e Teatrit “Avdush Hasani”, raporton KOHA.
Këto propozime i ka shpalosur nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, i cili njëherësh ushtron edhe detyrën e kryetarit pas dorëheqjes së Agim Veliut nga kjo pozitë.
“Për menaxhimin e situatës dhe ndërmarrjen e masave preventive ndaj Covid-19, deri tani Komuna ka ndarë 237.000 euro. Deri tani janë ndarë 133.000 euro në sigurimin e mjeteve mbrojtëse për personelin shëndetësor, ndërsa për dezinfektimin e objekteve dhe hapësirave publike si dhe shtëpive në fshatrat ku janë paraqitur rastet me të infektuar, janë ndarë 94 mijë euro nga buxheti i Komunës”, ka deklaruar Nexhmi Rudari. “Me shumën e mjeteve të propozuara për miratim sot, prej 125.000 euro, shuma e përgjithshme e mjeteve të ndara deri tash nga Komuna për menaxhimin e kësaj situate do ta arrijë shifrën prej 362.000 euro”.
Ndërkohë, shefi i Grupit të këshilltarëve të VV-së, Vendenis Lahu, ka propozuar që shumës prej 125 mijë euro t’i shtohen edhe 25 mijë të tjera.
“Sa i përket propozim-vendimit për ndarjen e shumës 125 mijë euro ndihmë qytetarëve në nevojë me pako hixhienike dhe ushqimore, këtu mungon një përshkrim i nevojshëm, mungon një plan në bazë të të cilit do të përcaktoheshin edhe pakot e ndihmës, por edhe qytetarët të cilët do të përfitonin këto pako ndihmë. Nuk ka kurrfarë plani se si të veprohet përveç ndarjes së mjeteve”, është shprehur këshilltari Lahu. “Grupi i këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje! propozon shumën prej 150,000.00 € duke ju rikujtuar se ju si ekzekutiv nuk e keni shfrytëzuar mundësinë nga niveli qeveritar i cili ka lejuar bartjen e mjeteve nga komuna deri në 5 % të vlerës së investimeve kapitale, siç kanë vepruar disa komuna tjera, por të gjitha ato mjete i keni paraparë prej burimi i të hyrave vetanake përmes drejtorive, sepse pasi të kalojë pandemia ne duhet të jemi këtu, që t’ju dalim në ndihmë edhe fermerëve, edhe njerëzve të kulturës e qytetarëve pa dallim”.
Ai ka kërkuar gjithashtu që Kuvendi të përcaktojë kriteret për këto pako dhe të ngritet një komision me nga një anëtar prej secilit subjekt politik që është i përfaqësuar si grup në KK për mbikëqyrjen e mbarëvajtjes së procesit të shpërndarjes së pakove.
Sa i përket propozim vendimit për heqjen e taksës komunale për të gjitha subjektet afariste që ushtrojnë veprimtari në territorin e komunës së Podujevës për vitin 2020, Vendenis Lahu ka thënë se Podujeva është pothuajse e vetmja që e ka në fuqi këtë taksë dhe ka kërkuar që kjo të hiqet përgjithmonë dhe jo vetëm për këtë vit.
“Sa i përket propozim-vendimit për lirim nga pagesa e qirasë për të gjithë shfrytëzuesit e pronës Komunale për vitin 2020, mendoj që të gjitha masat qeveria i ka marrë për 2 muajt e ardhshëm, sepse pandemia nuk pritet të zgjasë më shumë dhe për çdo eventualitet ne jemi këtu. Prandaj në këtë kontekst e shoh pak të çuditshme faljen e qirave për tërë vitin kur kjo mund të bëhet fillimisht për një periudhë 3 mujore, dhe çka është më e rëndësishmja a ka të drejtë KK të shkelë kontratat e nënshkruara”, ka theksuar shefi i GK të LVV-së.
Megjithatë, në fund me shumicë të votave është miratuar vendimi për ndarjen e mjeteve financiare në shumë 125,000 euro, ndihmë qytetarëve në nevojë me pako ushqimore dhe higjienike; vendimi për lirimin nga taksa komunale e të gjitha subjekteve afariste që ushtrojnë veprimtari në territorin e Komunës së Podujevës për vitin 2020 si dhe; vendimi për lirim nga pagesa e qirasë për të gjithë shfrytëzuesit e pronës komunale për vitin 2020.