Arbëri

Plenkoviq takon shefin e inteligjencës ushtarake për pilotin e arrestuar për spiunazh te Serbia

Plenkoviq - pilot kroat

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka njoftuar për një takim me shefin e Agjencisë së Sigurisë dhe Inteligjencës Ushtarake, Ivan Turkalj, lidhur me hetimet për pilotin kroat të arrestuar nën dyshimin se me të dashurën serbe nga Kosova kanë spiunuar te Serbia.

Një pilot kroat i KFOR-it dhe e dashura e tij serbe nga Kosova janë dërguar në paraburgim nga autoritetet kroate nën dyshimet se vite më parë, gjatë bllokadave në veri të Kosovës, kanë spiunuar te Lista Serbe për planet për lëvizjet e KFOR-it. Dyshimet ishin se piloti ia ka treguar planet të dashurës, e ajo ka njoftuar Serbinë.

“Kam pritur drejtorin e Agjencisë së Sigurisë dhe Inteligjencës Ushtarake, gjeneralmajor Ivan Turkalj, për hetimet që po kryhen ndaj një zyrtari të Forcave të Armatosura të Kroacisë dhe një personi tjetër nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të spiunazhit. Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës Ushtarake, Zyra e Prokurorit të Shtetit e Republikës së Kroacisë, dhe institucionet tjera përgjegjëse janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të mbrojtur interesat e shtetit dhe sigurinë kombëtare”, ka shkruar Plenkoviq në X të martën.

Për rastin, autoritetet e Kosovës kanë bërë kërkesë zyrtare tek autoritetet kroate për t’ia siguruar provat. Ndërkaq Policia ka bastisur më 27 gusht shtëpinë në Mitrovicë të Veriut të të dyshuarës për rastin, e ku janë gjetur një sprej, disa gëzhoja dhe fishekë.