Tenderi për furnizim me materiale dezinfektuese në Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Dy nga operatorët ekonomikë pjesëmarrës në këtë tender pretendojnë se janë eliminuar padrejtësisht nga gara, duke pretenduar se autoriteti kontraktues ofertat e tyre i ka vlerësuar në mënyrë formale dhe jo mbi bazën e performancës reale të produkteve
Vazhdon të mbetet i bllokuar tenderi i Qendrës Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës për furnizim me material dezinfektues në vlerë rreth 60 mijë euro, pas dy ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
Kompania ankuese “BoraDental” pretendon se është eliminuar nga gara pasi oferta e saj është vlerësuar mbi bazë të formulimit literal të kërkesave, e jo mbi përmbushjen reale të funksionit të produkteve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAutoriteti kontraktues e ka eliminuar operatorin me arsyetimin se një nga produktet e ofruara për pastrim nuk përmban përqindjen e kërkuar të përbërësve që ndihmojnë në shpërbërjen dhe largimin e papastërtive gjatë pastrimit.
Sipas operatorit ekonomik, vlerësimi është bërë vetëm mbi bazë të formulimit kimik dhe jo mbi funksionin dhe performancën reale të produktit.
“Qëllimi i këtij pozicioni është pastrimi dhe dezinfektimi manual i instrumenteve mjekësore. Produkti i ofruar nga ne është i certifikuar sipas standardeve rigoroze evropiane dhe i testuar për efekt baktericid, fungicid dhe mycobactericid sipas standardeve përkatëse EN. Pra, ai përmbush funksionin e kërkuar. Eliminimi mbi bazë të një intervali numerik, pa analizuar performancën reale dhe testimet e provuara, përbën vlerësim formal dhe jo substancial, në kundërshtim me nenin 59 të Ligji për Prokurimin Publik i Kosovës, i cili obligon Autoritetin Kontraktues të bëjë ekzaminim dhe vlerësim të drejtë të ofertave”, thuhet në ankesën e kompanisë “Bora Dental” bërë në OSHP.
Sipas kësaj kompanie, ajo është eliminuar nga gara edhe për produktet për pastrimin dhe dezinfektimin e gypave, pa iu kërkuar sqarime shtesë nga autoriteti kontraktues.
“AK ka injoruar plotësisht dokumentacionin e ofruar (të dy broshurat ishin bashkangjitur), pa kërkuar asnjë sqarim shtesë (Neni 59 par. 3), dhe ka pretenduar gabimisht se kemi ofruar vetëm ‘cleaner’ për poz. 7 dhe vetëm ‘dezinfektues’ për poz. 8. Kjo është e papërgjegjshme dhe tregon ose neglizhencë të komisionit, ose tendencë të qëllimshme për të fabrikuar arsye të rreme për eliminim, duke favorizuar OE-në tjetër pa bazë teknike reale. Produktet e ofruara janë lider botëror të këtij lloji, të zhvilluara nga Dürr Dental, dhe plotësojnë plotësisht kërkesat funksionale për pastrim dhe dezinfektim të gypave”, thuhet në ankesë.
KOHA ka insistuar te zyrtari i prokurimit Vehbi Morina të marrë vesh emrat e komisionarëve vlerësues, për t’i pyetur rreth pretendimeve të operatorit ekonomik ankues, por ai nuk i ka ofruar këto të dhëna.
Në ankesën e “Bora Dental” thuhet po ashtu se edhe produkti dezinfektues për sipërfaqe “Terralin Protect” është eliminuar me arsyetimin se nuk i plotëson disa testime sipas standardeve evropiane.
Kompania, megjithatë, pretendon se produkti i ka të kryera këto teste dhe madje sipas standardeve më të avancuara të verifikimit.
“Mospranimi i këtyre testeve ekuivalente bie ndesh me nenin 28 të LPP-së, i cili lejon zgjidhje ekuivalente dhe ndalon kufizimin e panevojshëm të konkurrencës. Po ashtu përbën shkelje të nenit 59 të LPP-së, pasi vlerësimi është bërë në mënyrë formale dhe josubstanciale. Duke qenë se oferta jonë është ekonomikisht më e favorshme se ajo e shpallur fituese, përjashtimi i saj cenon edhe parimin e ekonomicitetit sipas nenit 6 të LPP-së. Për rrjedhojë, kërkojmë që ankesa jonë mbi këtë pikë të shpallet e bazuar”, thuhet në ankesë.
Edhe operatori tjetër ekonomik pjesëmarrës në tender “Medical Group” në ankesën e tij ka thënë se autoriteti i konkurrencës nuk ka kërkuar sqarime shtesë për produktin e dezinfektimit.
“AK ka injoruar në tërësi kompaninë ‘Ecolab’, e cila është lidere për dezinfektim në botë, dhe nëse nuk ka pasur mundësi t’i verifikojë standardet e ofruara, në bazë të LPP-së ka pasur mundësi të kërkojë sqarime shtesë, ku ne si OE në çdo kohë kemi pasur mundësinë t’ju ofrojmë sqarime”, thuhet në ankesën e “Medical Group”.
Tenderi i ishte kthyer më herët për rivlerësim QKSUK-së, pasi kërkesa e operatorit ankues “Bora Dental” ishte pranuar pjesërisht si e bazuar nga OSHP-ja. Megjithatë, pas rivlerësimit është marrë sërish i njëjti vendim, duke e konsideruar operatorin ekonomik si të papërgjegjshëm.
“BoraDental” ka ofertuar me ofertë 4 mijë euro më të ulët sesa operatori ekonomik fitues.