Arbëri

Pezullohen tre zyrtarët e Komunës së Prishtinës që u arrestuan për ryshfet

Komuna e Prishtinës

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se ka pezulluar nga puna tre zyrtarët e Komunës të cilët u arrestuan gjatë ditës së djeshme nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.

Në një status në Facebook të mërkurën, Rama ka njoftuar se pezullimi do të jetë në fuqi deri në përfundimin e procedurave hetimore dhe gjyqësore, “ndërkohë që Kryeqyteti rithekson përkushtimin për ligjshmëri, transparencë dhe zero tolerancë ndaj korrupsionit”.

“Institucioni i Kryeqytetit do të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme administrative në përputhje me ligjin. Kryeqyteti mbetet i përkushtuar që shërbimet publike të ushtrohen me integritet dhe përgjegjësi në shërbim të qytetarëve. Askush mbi ligjin!”, ka shkruar ai.

Ndër tre personat e arrestuar, A.G., është zënë në flagrancë për “marrje të ryshfetit”. Sipas Prokurorisë, qëllimi i tij ka qenë që ta ndihmojë të dëmtuarin të realizojë një pagesë për punët të cilat i kishte kryer sipas kontratës me Komunën.

“Gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore, janë shoqëruar tre persona, ndër të cilët zyrtari i komunës, A.G., është arrestuar në flagrancë për veprën penale ‘’Marrje e ryshfetit’’ sipas nenit 421 të KPRK-së, me qëllim qe të ndihmojë të dëmtuarin të realizoj një pagesë për punët të cilat i kishte kryer sipas kontratës me komunën”, thuhet në njoftim.

KOHA ka mësuar se bëhet fjalë për një shumë rreth 2 mijë euro, me të cilën zyrtari u kap në flagrancë.